Vasil Biba, trupi i pajetë i të cilit u gjet i groposur nga një bari në zonën e Priskës në Dajt rezulton i dënuar për akuzën e “fshehjes së të ardhurave”. Po ashtu, ndaj këtij shtetasit rezulton se janë dpeozituar padi në polici nga disa qytetarë pasi i ka mashtruar duke u marrë shuma të ndryshme parash me premtimin se do u shiste apartamente. Po ashtu, ai rezulton i dënuar me 4 maj burg edhe për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi u ndalua duke drejtuar mjetin pa patentë.
Ky person administronte një kompani private në fushën e import-eksportit të lëndëve të ndërtimit të quajtur “FELSALB”. Nga hetimet e rezultuara u zbulua se ky shtetas kryente veprimtarinë duke i’u shmangur detyrimeve ndaj Drejtorisë së Tatimeve. Pas disa sinjalizimeve, në kompaninë e tij u kryen verifikime. Drejtoria e Hetimit Tatimor Tiranë, ka referuar materialin hetimor dhe Prokuroria pranë Gjykatës Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr. 5850, datë 25.10.2013 ndaj te pandehurit Vasil Biba akuzuar për veprën penale “ Fshehje e të ardhurave” të parashikuar nga neni 180/1 i Kodit Penal. Në vendimin e marrë nga Gjykata e Tiranës, të siguruar nga Javaneës thuhet midis të tjerash:
“Gjatë kontrolli inspektorët kanë konstatuar se shoqëria ka kryer evazion Fiskal ( fshehje të të ardhurave) në shumën 4.800.582 lekë. Detajet e kontrollit tatimor u deklaruan në seancë gjyqësore nga dëshmitari Behar Hoxha me detyrë inspektorë kontrolli në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë. Nga kontrolli i bilacit ka rezultuar se shoqëria “FELSALB” nuk kishte asnjë të punësuar, kishte shumë importe dhe fryrje të deklarimeve tatimore. Nga kontrolli është konstatuar se nuk kishte përputhje të sistemit tatimor për këtë subjekt me doganat, pasi për vitin 2011 ky subjekt nuk ka deklaruar fare situatë financiare, ndërsa sipas doganës ka importuar mall në vlerë 53 milion lekë.”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Po ashtu, nga verifikimet e kryera te tatimet rezulton se Vasil Biba, i është shmangur detyrimeve për pagimin e taksave në shumën e 32.3 milionë lekëve të reja. Sipas akteve të Policisë Gjyqësore, kompania “FELSALB” që administrohej nga Biba, nuk kryente aktivitet në adresën e regjistruar zyrtarisht në QKR.
“Mbi bazën e informacionit dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë ka ushtruar kontroll tatimor mbi aktivitetin subjektit tregtar “FELSALB” dhe kanë konstatuar se në muajin tetor të vitit 2013 ky subjekt rezultonte me detyrime tatimore të pashlyera. Oficerët e Policisë Gjyqësore kanë konstatuar gjithashtu se ky subjekt nuk ushtronte aktivitet ne adresën e paraqitur ne tatime e Q.K.R, por në një adrese tjetër. Në përfundim të kontrollit tatimor, kanë rezultuar detyrime tatimore për shoqërinë në shumën 32.354,268 lek.”, thuhet në vendim.
Bazuar në këto të dhëna, Gjykata e Tiranës e dënoi këtë shtetas me 1 vit burg. I gjithë procesi ndaj tij u krye në mungesë, pasi Vasil Biba nuk u paraqit asnjëherë para gjykatës. Ai rezultonte se ishte larguar jashtë shtetit sipas sistemit TIMS, dhe figuronte në listën e personave në kërkim.
Mashtrimi, 80 mijë euro për një apartament
Vitin e shkuar ndaj 36-vjeçarit Vasil Biba janë depozituar disa padi në Policinë e Tiranës nga qytetarë të ndryshëm që e akuzojnë se u ka marrë para me premtimin se do u shiste apartamente.
Mashtrimi ishte i njëjtë për të gjithë, sa herë i kërkonin ta çonin te apartamenti ky shtetas u thoshte se pallati ishte në dnërtim.
Një person denoncoi në shkurt të vitit 2015 se Biba i kishte marrë 25 mijë euro, dhe ishte zhdukur. Sipas këtij personi, ky ishte vetëm kësti i parë, pasi kishin rënë dakord për blerjen e një partamenti për 80 mijë euro.
Në të njëjtën mënyrë, Vasil Biba afronte qytetarë të ndryshëm nëpërmjet mashtrimit dhe u merrte shuma të konsiderueshme parash.
/Javanews.al
Më poshtë JavaNews sjell të plotë dosjen e shtetasit Vasil Biba, i dënuar nga Gjykata e Tiranës me 1 vit burg për “fshehje të ardhurash” dhe “evazion fiskal”.
V E N D I M
“NË EMËR TË REPUBLIKËS”
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e përbërë nga:
GJYQTARE : ENKELEDI HAJRO
asistuar nga sekretare gjyqësore Asije Velçani, në séancë gjyqësore me dyer të hapura, sot me datë 12.02.2015, mori ne shqyrtim ceshtjen penale që i përket:
AKUZUES : Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë përfaqësuar nga prokurorja Antoneta Sevdari.
I PANDEHUR: Vasil Biba, i biri i Sabriut dhe i Nazmijes i datëlindjes 28.06.1980, lindur ne Bishnice Pogradec e banues në rrugën 5 Maj, kulla 2 ap. 13, kati 4 Tiranë, hetuar në gjendje të lirë, gjykuar në mungesë, mbrojtur kryesisht nga avokatja Alma Zyba me nr. 2134 License.
AKUZUAR : Për kryerjen e veprës penale “ Fshehje e te ardhurave” të parashikuar nga neni 180/1 i Kodit Penal.
Në diskutimin përfundimtar palët kërkuan :
Prokuroria kërkoi:
- Deklarimin fajtor tё tё pandehurit Vasil Biba për veprën penale tё „Fshehjes së të ardhurave“ , tё parashikuar nga neni 180/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 vit burgim; Shpenzimet proçeduriale tё hetimit në shumën 43.000 lek ngarkim të tё pandehurit.
Avokatja e caktuar kryesisht kërkoi një dënim më të butë.
Gjykata pasi dëgjoi pretendimet e palëve, shqyrtoi provat dhe çështjen në tërësi,
V Ë R E N
Se organi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka paraqitur kërkesën për gjykimin e të pandehurit Vasil Biba duke e akuzuar për kryerjen e veprës penale “ Fshehje e te ardhurave” të parashikuar nga neni 180/1 i Kodit Penal i cili parashikon se :
Fshehja apo shmangia nga pagimi i detyrimeve tatimore, nëpërmjet mosdorëzimit te dokumenteve ose mosdeklarimit te te dhënave te nevojshme, sipas legjislacionit ne fuqi, dorëzimi i dokumenteve te rreme, me qellim fitimin material, për vete apo për te tjerët, përmes llogaritjes se pasakte te shumës se tatimit, taksës, apo kontributit, përbën vepër penale dhe dënohet me gjobe ose burgim deri ne tre vjet.
Kur kjo vepër kryhet me qëllim fshehjen apo shmangien nga pagimi të një detyrimi tatimor me vlerë më të lartë se pesë milionë lekë, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet. Kur kjo vepër kryhet me qëllim fshehjen apo shmangien nga pagimi të një detyrimi tatimor me vlerë më të lartë se tetë milionë lekë, dënohet me burgim nga katër deri në tetë vjet.”.
Në zbatim të nenit 13, pika 3, të K.Pr.Penale, në kushtet që vepra penale për të cilën akuzohet i pandehuri dënohet në maksimum jo më shumë se 3 vjet burgim, kjo çështje u gjykua me trup gjykues të përbërë nga një gjyqtar.
Gjykimi u zhvillua në mungesë të të pandehurit Vasil Biba i cili rezultonte se ndodhej jashtë shtetit, sipas konfirmimit të ardhur nga shkresa me nr. 9514/1 prot, datë 12.11.2014 nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë se Shtetit, Drejtoria e Qendrës se Përpunimit dhe Mbrojtjes se te dhënave. Ndërsa në seancën e datës 16.12.2014, prokuroria ka kërkuar para gjykatës kërkimin dhe njoftimin përsëri të të pandehurit Vasil Biba pasi kishte ardhur në dijeni të faktit se ky i pandehur ishte marrë në pyetje nga oficeri i policisë gjyqësore Ledian Kolgjoka për llogari të një procedimi tjetër penal në ngarkim të tij. Në këto kushte, gjykata urdhëroi përsëritjen e njoftimit për të pandehurin Vasil Biba me anë të oficerit të policisë gjyqësore, por njoftimi rezultoi i pamundur sepse i pandehuri kishte humbur gjurmët, kishte mbyllur të gjitha kontaktet.
Për rrjedhojë kjo gjykatë procedoi me zhvillimin e gjykimit në mungesë të të pandehurit Vasil Biba dhe me caktimin e një avokate të caktuar kryesisht, e cila pasi u njoh me aktet mbrojti gjatë procesit të drejtat proceduriale të të pandehurit në mungesë.
Gjykata lidhur me zhvillimin e gjykimit në mungesë dhe mbrojtjen e të drejtave të të pandehurit, Neni 33 i Kushtetutës parashikon se “kushdo ka të drejtë të dëgjohet para se të gjykohet. Nga kjo e drejtë nuk mund të përfitojë personi që i fshihet drejtësisë”.
Gjykata mori të gjitha masat për njoftimin në mënyrë rigoroze, konform kërkesave procedurale, të të pandehurit ndaj të cilit ka filluar një proces penal, por nga aktet që janë administruar në dosjen gjyqësore arrihet në përfundimin se i pandehuri ka hequr dorë me vullnetin e tij të lirë nga pjesëmarrja në gjykim.
Në këto kushte, gjykata procedoi me gjykimin e zakonshëm, me pjesëmarrjen e avokatit mbrojtës të të pandehurit.
Gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes rezultoi se me shkresën me nr. 17815 prot, datë 21.10.2013, Drejtoria e Hetimit Tatimor Tiranë, ka referuar materialin hetimor dhe Prokuroria pranë Gjykatës Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr. 5850, datë 25.10.2013 ndaj te pandehurit Vasil Biba akuzuar për veprën penale “ Fshehje e të ardhurave” të parashikuar nga neni 180/1 i Kodit Penal. Në përfundim të hetimeve paraprake, proçedimi penal Nr. 5880/2013 në ngarkim të të pandehurit Vasil Biba është regjistruar për kompetencë gjykimi Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Gjatë shqyrtimit të zakonshëm të kësaj çështje, administrimit të akteve të fashikullit hetimor dhe nga pyetja e dëshmitareve në seancë gjyqësore rezultoi e provuar se shoqëria tregtare “FELSABI” me Nipt L02120001L , me administrator të pandehurin Vasil Biba, kishte kryer import në muajin Gusht 2013. Referuar dokumentacionit përkatës , rezultonte se në shoqëri duhej të ishin gjendje 111 dyer hekuri. Inspektorët e Tatimeve kanë marrë informacion se i pandehuri Vasil Biba ka deklaruar se 111 dyer të blinduara ia ka shitur shtetasit Arjan Harasani me Nipt K41307002H. Gjatë kontrollit të kryer në subjektin e Arjan Harasanit u gjeten 17 dyer, pjesë e sasisë 111 dyerve të sjella në Shqipëri nga i pandehuri, prandaj dhe sasia prej 17 dyersh në një vlere prej 350 mije lekesh si mall i gjetur pa faturë, është konfiskuar . Ky fakt u pranua dhe u dëshmua nga dëshmitari Arjan Harasani në seancë gjyqësore, i cili shpjegoi se i kishte blerë këto dyer nga i pandehuri Vasil Biba, i cili ishte vet-ofruar tek ai dhe ky në mirëbesim kishte paguar duke pritur që të merrte faturën më vonë nga i pandehuri.
Gjatë kontrollit të inspektorëve ka rezultuar gjithashtu se nga dyert e importuara nga Turqia, nuk kishte gjendje inventari fizik dhe nga verifikimi i blloqeve te T.V.Sh-së, ka rezultuar se vetëm 30 dyer janë shitur me fature te rregullt dhe pjesa tjetër nuk ishte e dokumentuar ne shitje.
Mbi bazën e informacionit dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë ka ushtruar kontroll tatimor mbi aktivitetin subjektit tregtar “FELSALB” dhe kanë konstatuar se në muajin tetor të vitit 2013 ky subjekt rezultonte me detyrime tatimore të pashlyera. Oficerët e Policisë Gjyqësore kanë konstatuar gjithashtu se ky subjekt nuk ushtronte aktivitet ne adresën e paraqitur ne tatime e Q.K.R, por në një adrese tjetër. Në përfundim të kontrollit tatimor, kanë rezultuar detyrime tatimore për shoqërinë në shumën 32.354,268 lek.
Gjatë kontrolli inspektorët kanë konstatuar se shoqëria ka kryer evazion Fiskal ( fshehje të të ardhurave) në shumën 4.800.582 lekë. Detajet e kontrollit tatimor u deklaruan në seancë gjyqësore nga dëshmitari Behar Hoxha me detyrë inspektorë kontrolli në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë. Nga kontrolli i bilacit ka rezultuar se shoqëria “FELSALB” nuk kishte asnjë të punësuar, kishte shumë importe dhe fryrje të deklarimeve tatimore. Nga kontrolli është konstatuar se nuk kishte përputhje të sistemit tatimor për këtë subjekt me doganat, pasi për vitin 2011 ky subjekt nuk ka deklaruar fare situatë financiare, ndërsa sipas doganës ka importuar mall në vlerë 53 milion lekë. Kontrolli tek subjekti “FELSALB” është ushtruar në bazë të Ligjit “Për procedurat tatimore në R.Sh” Nenit 71 gërma “ç “ duke përdorur një nga mënyrat alternative, pasi administratori Vasil Biba nuk ka pranuar të bashkëpunojë. Akti i kontrollit dhe njoftim vlerësimi tatimor i janë njoftuar rregullisht subjektit në adresën e deklaruar nga ai dhe nuk është paraqitur asnjë ankim ndaj tij.
Faktet e përmendura më lart rezultuan të provuara me aktet e paraqitura nga organi i prokurorisë në fashikullin e hetimit Nr. 5850/2013.
Për këto arsye, materiali është referuar në prokurorinë e rrethit Gjyqësor Tiranë dhe sikurse rezulton, i pandehuri Vasil Biba ka konsumuar elementet e veprës penale të “ Fshehjes së të ardhurave” të parashikuar nga nenet 180/1, pikërisht fakti sepse diferenca e padeklaruar si shitje përbën evazion fiskal për rastin konkret në rrethanat e faktit të pranuara nga gjykata më lart.
Sa më sipër Gjykata krijon bindjen se provat janë të plota, të marra sipas parashikimeve të K.Pr.Penale dhe harmonizohen me njëra tjetrën duke provuar faktet objekt akuze dhe fajësinë e të pandehurit Vasil Biba.
Me veprimet e tij të kundraligjshme, i pandehuri Vasil Biba ka cënuar marrëdhëniet juridike të vendosura për të ruajtur të pacënuar veprimtarinë e shtetit për mbledhjen e taksave dhe tatimeve. Nga ana objektive vepra penale është kryer nëpërmjet mosdeklarimit të saktë të të dhënave të nevojshme që kanë të bëjnë me shitjen e mallrave nga ana e shoqërisë.
I pandehuri është subjekt i veprës penale, pasi është madhor dhe mban përgjegjësi penale për veprën për të cilën akuzohet dhe është në gjendje të kuptojë dhe kontrollojë veprimet e tij dhe pasojat që ata sjellin.
Neni 47§2i Kodit Penal parashikon se në caktimin e dënimit ndaj personit gjykata merr parasysh rrezikshmërinë e veprës penale, të autorit të saj, shkallën e fajit, si dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese.
Gjykata zhvilloi një gjykim në mungesë pasi e provuar, krijoi bindjen se i pandehuri i fshihet gjykimit, se ai nuk ka bashkëpunuar me organet proceduese gjatë hetimit, se ka bërë të gjitha përpjekjet për të penguar drejtësinë.
Lidhur me rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale, Gjykata çmon se duhen mbajtur parasysh këto rrethana: fshehja e të ardhurave si vepër penale paraqet rrezikshmëri shoqërore, sepse e kryer në vazhdimësi dëmton ekonominë e një vendi, mënyra se si e ka realizuar veprën, pasoja e ardhur.
Për sa i përket rrezikshmërisë shoqërore të të pandehurit dhe masës së dënimit që duhet të vuajë i pandehuri, Gjykata çmon se duhen mbajtur parasysh niveli i tij social ekonomik, shkalla e arsimimit, hetimi dhe gjykimi i tij në mungesë.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata pasi dëgjoi pretendimet e palëve, shqyrtoi aktet provuese në fashikullin gjyqësor dhe çështjen në tërësi, krijoi bindjen e brendshme, prandaj bazuar në nenet 379, 384, 390, 406, 485 të K.Pr.Penale,
V E N D O S I
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Vasil Sabri Biba, i datëlindjes 28.06.1980, për kryerjen e veprës penale “ Fshehje e të ardhurave“, parashikuar nga neni 180 i K.Penal dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 1 (një) vit
- Vuajtja e dënimit për të pandehurin Vasil Biba fillon nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi dhe të kryhet në burg të sigurisë së zakonshme.
- Shpenzimet procedurale të hetimeve paraprake dhe ato gjyqësore i ngarkohen të pandehurit.
- Kundër këtij vendimi lejohet ankim ne Gjykatën e Apelit Tiranë brenda 10 (dhjetë) ditëve nga e nesërmja e shpalljes.
U shpall në Tiranë më datë 12.02.2015.
S E K R E T A R E G J Y Q T A R E
ASIJE VELÇANI ENKELEDI HAJRO