Ditën e djeshme, shkolla 9-vjeçare “Bërxullë”, Vorë u vizitua nga Deputetja e Parlamentit Evropian (PE), njëkohësisht Raportuese e PE-së për Shqipërinë, Isabel Santos. Ajo u shoqërua nga Ambasadorja e BE-së në Shqipëri Christiane Hohmann dhe Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Shqipëri Monica Merino.
E rindërtuar nga e para në kontekstin e Programit “EU4Schools” / “BE për Shkollat”, kjo shkollë ka mirëpritur tashmë 361 nxënësit dhe 27 mësuesit e saj në një ndërtesë krejtësisht të re me sigurinë më të lartë sipas EUROCODE 8 dhe me ambiente dinjitoze të standardeve më bashkëkohore të Bashkimit Evropian.
Përgjatë këtij aktiviteti, Znj. Santos vizitoi hapësirat moderne të laboratorit të IT-së, atë të Biologji-Kimisë dhe palestrën e shkollës. Njëkohësisht, ajo zhvilloi edhe një diskutim të shkurtër me nxënës të grup-moshave të ndryshme rreth tematikës “BE-ja dhe Rinia”, ku u njoh me energjinë pozitive të nxënësve dhe të menduarit pikërisht si bashkëmoshatarët e tyre në Bashkimin Evropian.
Për 11,300 banorët e komunitetit të Bërxullës, rindërtimi i kësaj shkolle 9-vjeçare të dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit, 2019, do të thotë shumë! Shkolla e re nuk është vetëm një investim serioz për çdo nxënës e mësues, por ajo ka sjellë njëkohësisht edhe përmirësim të jetesës për komunitetin e prekur.
Ndërtimi i objekteve arsimore në kontekstin e “EU4Schools” realizohet mbi bazën e parimeve të “Rindërtojmë më mirë” dhe “Rindërtojmë së bashku”, duke garantuar cilësi dhe siguri për përfituesit, si dhe duke angazhuar komunitetin në procesin e rindërtimit.
I financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga PNUD Shqipëri, Programi “EU4Schools” po ndërton objektet arsimore të së ardhmes! Në fokus të tij është rindërtimi apo riparimi i 60+ objekteve arsimore në 11 bashkitë më të prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit, 2019, ku përfitues të drejtpërdrejtë janë rreth 24,500 fëmijë, nxënës e mësues. Deri tani kanë përfunduar 37 objekte arsimore, teksa 14 të tjera janë aktualisht në proces rindërtimi apo riparimi në kuadër të “EU4Schools”.
/a.r