Bujqësia është një ndër sektorët që është vënë në fokus të financimeve për vitin 2016.
Kjo për shkak të rëndësisë që ka rritja e prodhimit bujqësor në përmirësimin e gjendjes ekonomike të vendit dhe rritjes së mirëqenies, e domosdoshme kjo, për t’u bërë pjesë e familjes europiane.
Qeveria ka miratur fondin e buxhetit 2016 për Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, për mbështetjen e prodhimit bujqësor, blegtoral dhe të agropërpunimit në tetë sektorët kryesor. 1-Investimet për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve për të garantuar furnizimin e qëndrueshëm të tregut; 2) përmirësimin e teknologjisë së kultivimit dhe të mbrojtjes së bimëve; 3) prodhimin e perimeve në ambiente të mbrojtura; 4) mbarështimin e blegtorisë, bletarisë dhe akuakulturës; 5) furnizimin e qëndrueshëm të tregut dhe rritjen e të ardhurave financiare për familjet e zonave rurale; 6) nxitjen e kreditimit bankar e të investimeve në sektorin e përpunimit, ruajtjes dhe marketingut të produkteve bujqësore, blegtorale, shpendëve, akuakulturës, mjaltit dhe bimëve medicinale; 7) rritjen e mundësisë së fermerëve për mjete të mekanizuara; 8) nxitjen e formalizimit, kooperimit dhe organizimit të shoqërive të bashkëpunimit bujqësor (SHBB).
Ministria e Bujqësisë ka planifikuar për vitin 2016 të japë mbështetje financiare për projektet e 12 mijë fermerëve në të gjithë vendin, me synim stimulimin e përdorimit të teknologjive të zhvilluara që nxisin rritjen e prodhimit. Në vitin 2015 u dhanë 3.3 miliardë lekë në formën e mbështetjes për fermerët. Nga skemat kombëtare të 2015-s, në vlerën 1.6 miliardë lekë përfituan 10 800 fermerë, ku pesha kryesore u përdor për investime. Nga përmirësimi i efektivitetit të skemave mbështetëse këtë vit numri i fermerëve përfitues për vitin 2016 do të shënoi rritje sikundër edhe fondet e skemat e mbështetjes.
Krahas programit të subvencionimit, këtë vit qeveria në bashkëpunim me BERZH-in do të vërë në zbatim një fond prej 75 milionë euro si garanci të posaçme për bankat që do gjenerojnë 300 milionë euro kredi për fermerët. Kjo nuk është skema e parë e garancive financiare për sektorin privat adresuar bujqësisë, sektori që jep 20 për qind të prodhimit kombëtar dhe punëson gati gjysmën e popullsisë.