Serbëve nuk u ndahen problemet. Sivjet arka edhe ashtu e cekët e shtetit të Serbisë do të “lehtësohet” edhe për gati 300 milionë euro për kthimin e borxheve të vjetra mbi 40- vjeçare, nga koha e Titos kur kryeministër i Jugosllavisë së atëhershme ishte Veselin Gjuranoviç, ankohen zyrtarët e vendit që vullnetarisht deshën të jenë trashëgimtarë të Federatës së shpërbërë. Sipas gazetës serbe “Blic”, bëhet fjalë për barrën më të madhe kreditore që Serbia sivjet duhet ta kthejë – 289,2 milionë euro. Kreditë që kjo duhet t’ua kthejë klubeve të Parisit e të Londrës, Bankës Botërore dhe asaj Investueser Europiane. Shuma e përgjithshme është 8,8 miliardë euro, transmeton Koha.net. Më së shumti duhet t’i kthehet Klubit të Parisit – 103, 6 milionë euro, Bankës Botërore 74,7 milionë, Klubit të Londrës 53,8 milionë dhe BE-së 44,7 milionë euro, saktëson “Blic”. Borxhi publik i Serbisë aktualisht është 24,8 miliardë euro.