Ish zëdhënësi i NATO-s Jamie Shea të enjten do të arrijë në Kosovë. Ai konsiderohet si njëri ndër personalitetet më të dashur për popullin e Kosovës. U bë i njohur për opinionin botëror gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s gjatë luftës në Kosovë. Ai është nderuar nga Kolegji AAB me çmimin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut për “kontribut të jashtëzakonshëm në ndihmën, përkrahjen dhe shpëtimin e refugjatëve dhe popullatës civile në Kosovë gjatë periudhës mars-qershor 1999”. Me këtë rast, Ceremonia solemne e dorëzimit të Çmimit do të bëhet në praninë e krerëve të institucioneve të Republikës së Kosovës, të Republikës së Shqipërisë, dhe të institucioneve të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, të ambasadorëve të akredituar në Kosovë, si dhe në prani të figurave me rëndësi të jetës publike.