Pas daljes së tij nga dera e SPAK-ut, Shkëlzen Berisha deklaroi sot se nuk kishte asnjë lidhje me korrupsionin e vdekjes në Gërdec, me pasojë 26 jetë humbura dhe dhjetëra të plagosur. Shkëlzen Berisha është në të drejtën e tij të zgjedhë formën e mbrojtjes, të heshtë apo të shpikë alibi, përballë mundësisë së ngritjes së ndonjë akuze nga SPAK-u. Shqiptarja.com sjell edhe një herë në vëmendje të publikut dhe hetuesve një grup faktesh, provash dhe rrethanash, të cilat konfirmojnë implikimin e shumëfishtë të Shkëlzen Berishës në aferën e Gërdecit. Jo vetëm kaq, por nëse provat dhe dëshmitë ndërlidhen, ngrihen dyshime serioze se i biri i Sali Berishës, Shkëlzen Berisha, ishte pronar në hije i biznesit të Gërdecit, ndërsa ministrat e qeverisë së babai të tij, ishin thjeshtë ushtar për zbatimin e skemës së korrupsionit.
Shkëlzen Berisha kishte lidhje të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë me të gjithë personazhet që kanë realizuar aferën e Gërdecit. Kishte lidhje me Mihal Delijorgjin që kishte marrë përsipër përgatitjen e terrenit për demontimin e armëve në Gërdec, kishte lidhje përmes ‘vëllait’ të tij Rrahman Selmanllarin, me kompaninë amerikane SAC të Patrik Henrit që ishte kontraktuar për demontimin e armëve, si dhe del në përgjimet e Efraim Diverolit, një trafikant armësh nga Florida, presidenti i kompanisë “AEY”, e cila blinte municione kineze në Shqipëri dhe u vendoste etiketa të tjera, për llogari të një tenderi të dhënë nga SHBA në vlerën 298 milionë dollarë.
Është korrupsion sepse procesi i demontimit kryhej jashtë çdo kushti sigurie, ku punon edhe gra dhe fëmijë, bëhet nga kompani pa licencë dhe të diktuara paraprakisht, kryhej trafik municionesh, falsifikim etiketash, mashtrim etj. Po cilat janë faktet, provat, rrethanat dhe dëshmitë që implikojnë Shkëlzenin Berishën në Gërdec?
1. Shkëlzen Berisha aktivizon Fatmir Mediun, takime e telefonata
Para përgatitjes së dokumentacionit për ngritjen e fabrikës së demontimit në Gërdec, jashtë çdo kushti sigurie, në zyrën e ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediut ka hyrë dhe dalë shpesh Shkëlzen Berisha. Ç’punë kishte djali i kryeministrit të hynte dhe dilte nga zyra e Ministrit të Mbrojtjes? Ka dyshime të forta se Shkëlzeni lobonte tek Mediu që biznesin e demontimit të municioneve në Gërdec, aty ku sot ka ngritur vetë biznesin e boronicave, ta merrte Mihal Delijorgji, me të cilin kishte lidhje, siç del më vonë edhe nga tabulatet telefonike. Gjatë hetimit pas tragjedisë, prokuroria ka sekuestruar blloqet e shënimeve të sekretares së Fatmir Mediut, ku shënoheshin emrat e njerëzve që takonin ministrin. Në këto fletë blloqesh del emri i Shkëlzen Berishës, i cili ka takuar Mediun në datat 18 mars 2007 si dhe në datat 17, 18, 19 dhe 20 korrik 2007.
2. Shkëlzeni në zyrën e Aldo Bumçit, ministër Drejtësie
Krahas takimeve me Fatmir Mediun, Shkëlzeni shkoi edhe në zyrën e Aldo Bumçit, i cili ishte ministër Drejtësie. Ministria e Drejtësisë duhet të aprovonte procedurat për demontimin nga ana ligjore. Ish-sekretarja e ish-ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, Anjola Agolli, në dëshminë e saj dhënë prokurorëve implikoi direkt Shkëlzen Berishën, në demontimin e armëve në Gërdec. Agolli ka pranuar se ajo ka dërguar faksin me shënimin “Për Shkëlzen Berishën…” në një numër faksi të Ministrisë së Mbrojtjes, dhe kujton se “Shkëlzen Berisha erdhi në zyrë dhe u takua me ministrin para se të niste faksin…” Agolli ka shpjeguar procedurën si e ka protokolluar faksin dhe si është dërguar në Ministrinë e Mbrojtjes. Bëhet fjalë për një faks privat që ish-ministri Aldo Bumçi i ka dërguar për informim Shkëlzen Berishës, për t’i kujtuar se ia ka firmosur “Memo”-n që aprovonte biznesin e demontimit të armëve në Gërdec.
3. Aldo Bumçi aprovon procesin e demontimit
Pasi Shkëlzeni i shkon në zyrë, Aldo Bumçi jep miratimin për demontimin. Ky është faksi që Aldo Bumçi ka nisur nga zyra e tij, në adresë të një zyre në Ministrinë e Mbrojtjes ku punonte në mënyrë informale Shkëlzen Berisha për projektin e Gërdecit. Faksi është fotokopje e “Memo”-s zyrtare, që Bumçi si ministër Drejtësie i ka kthyer përgjigje Ministrisë së Mbrojtjes, për ta miratuar procedurën e koncesionit të Gërdecit me VKM nga qeveria. Por për të informuar paralelisht Shkëlzenin, që “çdo gjë është në rregull”, një fotokopje të “Memo”-s, i ka vënë shënimin sipër “Për Shkëlzen Berishën” dhe e ka nisur në një numër faksi që i korrespondon protokollit në Ministrinë e Mbrojtjes.
4. Mediu dhe Berisha nisin lëvizjet për ngritjen e fabrikës së vdekjes
Që në fillim të vitit 2007, Fatmir Mediu çon në qeveri vendimin për t’i dhënë kontratën e demontimit kompanisë për të cilën ishte interesuar Shkëlzenit. Mediu shfaqet nervoz në mbledhjen e qeverisë së 17 shkurtit 2007, pasi vendimi i tij po diskutohej gjatë në drejtorinë juridike të qeverisë. Fatmir Mediu kishte përgatitur të gjithë dokumentacionin, përfshirë edhe një relacion shpjegues. Për demontimin kishte përcaktuar kompaninë SAC, me përfaqësues shokun për kokë të Shkëlzenit, Rrahman Selmanllarin.
5. Mediu debat me Boden që kërkonte garë për tenderin
Debate pati në mbledhjen të qeverisë së datës 17 shkurt 2007. Nga procesverbali rezulton se ministri Ridvan Bode, i cili me sa duket nuk ishte në dijeni se kulisave, kërkoi që kompania që duhej të bënte demontimin të përzgjidhej me tender. Sipas Mediut, nuk duhej bërë me tender, pasi nuk kishte kompani të tjera të specifikuara për këtë punë. Në fakt Mediu kundërshton, pasi kishte piketuar kompaninë që me sa duket i kishte thënë Shkëlzeni.
6. Ndërhyn Berisha, i hap rrugë biznesit ku ishte i implikuar i biri
Pas debateve në qeveri në shkurt, në 14 mars 2007, Sali Berisha i delegon Fatmir Mediut, në atë kohë ministër i Mbrojtjes, çështjen e Gërdecit, duke i hapur rrugë asaj që ndodhi një vit më pas. Kështu, tenderin e paracaktuar e bëri vetë Mediu, duke shënuar edhe shkeljen e parë nën ndikimin e Familjes Berisha, shkelje e cila do t’i paraprinte tragjedisë. Koha e zhvillimit të tenderit nga Mediu përkon me vizitat e Shkëlzenit në zyrën e tij. Ky është momenti që Sali Berisha lë gjurmë në biznesin e vdekjes, edhe pse gënjeu pas shpërthimi, duke thënë se nuk kishte dëgjuar kurrë më parë për Gërdecin.
7. Nisin punimet në Gërdec, përfshihet Fahri Balliu i besuari i Berishës
Pasi fitoi tenderin nga Mediu, falë lobimit të Shkëlzenit, Deligjorgji ngriti një kompani ndihmëse, për të kryer punimet në Gërdec, për ngritjen e fabrikës, brenda një territori ushtarak, ku në këtë fazë del në skenë si përfshirë edhe Fahri Balliu, një personazh pranë Sali Berishës dhe Ilir Metës, i implikuar edhe në afera të tjera si dhe objekt i disa kabllogrameve që Ambasada Amerikane në Tiranë i ka nisur DASH. Vajza e Fahri Balliu ishte aksionere me 20 % në kompaninë ‘Trans Digging Construction”, të Delijorgjit, që po ndërtonte fabrikën. Ajo u largua nga kompania sapo shpërtheu Gërdeci, ndërsa nuk u pyet kurrë nga prokuroria. Nuk është rastësi që Deliorgji të zgjidhte Fahri Balliun, i cili ishte i besuar i Berishës dhe rrjedhimisht edhe i Shkëlzenit. Rrethi duhej të ishte mbyllur dhe i besuar.
8. Ushtarakët denoncojnë punimet e paligjshme në Gërdec
Sali dhe Shkëlzen Berisha, në rrugën për realizimin e aferave financiare, janë përballur me njerëz që kanë kundërshtuar shkeljen e ligjit dhe që kanë denoncuar veprimet arbitrare. Komandanti i Policisë Ushtarake, Astrit Jaupi, denoncoi tek Fatmir Mediu dhe ish-shefi i Shtabit, Luan Hoxha, prishjet e paligjshme të godinave ushtarake në Gërdec nga kompania e Delijorgjit, për të ndërtuar fabrikën e vdekjes. Kjo shkresë, e cila u injoruar, tregon se gjithçka po bëhej në mënyrë jo të rregullt dhe nën ndikimin e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila në këtë rast punonte për një biznes, për të cilin ishte interesuar Familja Berisha.
9. Kabllogrami i Ambasadës Amerikane për ankesën e ushtarakëve
13 muaj pas shpërthimit, në 17 prill 2009, Ambasada Amerikane në Tiranë i nis një kabllogram Departamentit Amerikanë të Shtetit për Gërdecin, ku ndër të tjera i raporton se “Mendohet se në atë kohë, komandanti i Policisë Ushtarake, Astrit Jaupi, i dërgoi një letër shqetësimi për të informuar ish- Ministrin e Mbrojtjes, Mediu dhe ish- Komandantin e Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha kur zbuloi se kompania e Delijorgjit “Trans Digging Construction” po shkatërronte godinat në ish- repartin e tankeve në Gërdec pa asnjë leje të shkruar nga Ministria e Mbrojtjes. Letra e tij nuk mori kurrë përgjigje apo ndonjë veprim. Përveçse ofroi më shumë prova se Mediu e kishte favorizuar në mënyrë ilegale Delijorgjin në vendimet për demontimin, historia nxjerr në pah përfshirjen e një tjetër personi nga orbita e ngushtë e Berishës- Balliu. Kur u përhapën fjalët e para për lidhjet e Balliut me Delijorgjin, Balliu mbajti një konferencë për shtyp në fillim të prillit për të mbrojtur veten…”.
10. Në skenë del Rrahman Selmanllari, ‘vëllai’ i Shkëlzenit
Historia nuk mund të ishte kaq e plotë pa Rrahman Selmanllari, i konsideruar edhe si “vëllai” i Shkëlzen Berishës. Selmanllari, i cili në atë kohë përfaqësonte Shkëlzen Berishën në transaksione biznesi apo pasurish të patundshme, u shfaq si përfaqësues i kompanisë amerikane SAC (Southern Anmmunition Company), e cila kishte lidhur një kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes, për çaktivizimin e municionit të kalibrit të rëndë, të predhave të artilerisë në Gërdec. Me autorizim të presidentit të kësaj kompanie, Patrick Henry, Selmanllari ka përfaqësuar veprimtarinë e kësaj kompanie në Gërdec. Pikërisht për këtë kompani Fatmir Mediu debatoi me Ridvan Boden në mbledhjen e qeverisë së 17 shkurtit 2007.
11. Lidhja mes Patrik Henrit, Delijorgjit, Selmanllarin dhe Shkëlzenit
Patrik Henri, pronar i SAC, ishte partner me Delijorgjin, i cili ishte pronar i Alba Demil. SAC merrej me demontimin, ndërsa Alba Demil me ngritjen e infrastrukturës dhe rekrutimin e punonjësve, që në fakt ishin gra, fëmijë, por edhe baxhanaku i Sali Berishës, Mehmet Hoxha. Patrik Henri ishte bashkëpronar me 25% të aksioneve në kompaninë Alba Demil me Delijorgjin. Nga ana tjetër, Patrik Henri përfaqësohej nga shoku i Shkëlzenit, Rrahman Selmanllari, ndërsa vetë Shkëlzeni lëvizte fijet lart, duke pasur babin, Sali Berishën, kryeministër. Kur shpërtheu Gërdeci, Patrik Henri dhe Dlijorgji nisën të akuzonin njëri-tjetrin si përgjegjës dhe madje të implikonin edhe emra të tjerë. Kur prokurorët amerikanë e morën në pyetje për llogari të drejtësisë shqiptare, Patritk Henri u shpreh se “Ylli Pinari (ish-drejtori i MEIKO nën varësinë e Mediut dhe Berishës) më prezantoi mua me Mihal Delijorgjin. Ne u takuam në House of Pasta në Tiranë, Shqipëri. Mu tha se ai kishte çmilitarizuar tanke për MEICO dhe ishte shumë i familjarizuar me drejtimin e biznesit si në Shqipëri dhe me MEICO. Gjithashtu mu tha se ai kishte një kompani ndërtimi, e cila mund të ndërtonte çdo ambient të nevojshëm si dhe të siguronte fondet, që kërkoheshin për të blerë lëndën e parë”.
12. Burri i tezes së Shkëlzenit punonte në Gërdec, humbi jetën nga shpërthimi
Muhamet Hoxha, bashkëshorti i tezes së Shkëlzen Berishës, punonte në Gërdec. Madje fatkeqësisht, Muhamet Hoxha humbi jetën ditën e shpërthimit të punishtes së demontimit të armëve. A mund të ishte rastësi për punësimin e tij në Gërdec? Sali Berisha arriti deri aty saqë për të mbrojtur Shkëlzenin, mohoi se e njihte baxhanakun Hoxha. Kjo alibi u mbrojt edhe nga Liri Berisha, e cila tha se nuk ia falte vetes gabimin që nuk e kishte prezantuar Berishën me bashkëshortin e motrës së saj.
13. Shpërthimi, Mediu 4 biseda telefonike me Shkëlzen Berishën
Ka një moment kyç që zbulon se kush ishin pronarët e vërtetë të biznesit kriminal të demontimit të municioneve në Gërdec. Janë lëvizjet e para të Fatmir Mediut kur shpërtheu fabrika në Gërdec. Dy orë pas shpërthimit, ditën e 15 marsit 2008, nga tabulatet telefonike rezulton se Fatmir Mediu, i telefonon pikërisht Shkëlzen Berishës, e cila zgjat 74 sekonda. Telefonatën e parë, Mediu e bën me Shkëlzenin në orën 14.08 minuta. Në orën 16.31 minuta, Mediu ka folur sërish 37 sekonda me Shkëlzen Berishën. 10 minuta më pas ka follat përsëri 32 sekonda. Atë ditë Mediu ka zhvilluar një bisedë të katërt me Shkëlzenin, në orën 5 të pasdites dhe ka zgjatur 56 sekonda. Sot Shkëlzeni tha se i kishte telefonuar për halle familjare. Po pse ditën e Gërdecit e gjetën Fatmir Mediu dhe Shkëlzen Berisha për të qarë hallet familjare?!
12. Mihal Delijorgji i telefonon Shkëlzenit pas shpërthimit
Të gjithë veprojnë dhe sillen rreth Shkëlzenit. Në orën 12:10 të 15 marsit 2008 shpërtheu fabrika në Gërdec dhe tragjedia ishte në zhvillim e sipër. Pas shpërthimit, mes personave të parë që u ka telefonuar pronari i “Albademil” Mihal Delijorgji që merrej me demontimit, është Shkëlzen Berisha. Sipas tabulateve telefonike, Delijorgji i ka telefonuar Shkëlzen Berishës në orën 12:48 dhe biseda ka zgjatur 54 sekonda. Mbetet mister se çfarë kanë biseduar Delijorgji dhe Shkëlzeni, ndërsa ky moment kuç është injoruar nga hetimet. Shkëlzen Berisha mohoi në fillim se ka pasur telefonata apo njohje me Delijorgjin, por pas publikimit të tabulatit, nuk bëri më komente. Pas Shkëlzenit, Delijorgji i ka telefonuar disa herë Ilir Metës, i cili një vit më vonë do të bashkohej me Sali Berishën.
13. Ish-shefi i Shtabit Luan Hoxha: Shkëlzeni më bëri presion!
14 muaj pas Gërdecit, në 17 qershor 2009, Shefi i Shtabit të Ushtrisë Shqiptare, Luan Hoxha, i sapo shkarkuar, i kërkon një takim me urgjencë me ambasadorin amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, për të rrëfyer të vërtetën e Gërdecit. Takimi dhe rrëfimit reflektohet në një kabllogram sekret që Ambasada Amerikane në Tiranë i ka dërguar Departamentit Amerikan të Shtetit, tre ditë më pas, në 20 qershor 2009. Në kabllogram shkruhet se Luan Hoxha ishte ankuar se Shkëlzen Berisha i kishte bërë presion që të dorëzonte municion të kalibrit të lartë në Gërdec dhe pa vonesa. Sipas kabllogramit “ndryshe nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili ia hedh fajin e Gërdecit ushtarakëve, Hoxha deklaron se nga këndvështrimi i tij, Mediu mori të gjitha vendimet që nga zgjedhja e Gërdecit për të shkatërruar municionet, tek çfarë lloj municionesh do të përdoreshin, në çfarë kohe dhe cili do të ishte programi. Hoxha thotë se stafi i tij kishte për detyrë vetëm transportimin e municioneve dhe të ruanin perimetrin e jashtëm, asgjë tjetër. Ai shpjegon se Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit i kishte bërë presion që “të vazhdonte të dorëzonte municione të një kalibri më të lartë në Gërdec” dhe këtë gjë “ta kryente pa vonesa”. I pyetur nga Ambasada nëse ia kishte raportuar këtë fakt Prokurores së Përgjithshme, Hoxha u përgjigj: PO”. Më pas Berisha e shpalli armik ambasadorin amerikan, madje përmes Ilir Metës, tentoi ta dëbonte nga Shqipëria, por kërkesa e Metës si ministër i Jashtëm u refuzuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ndërkaq, Luan Hoxha mori azil politik në SHBA.
14. Kosta Trebicka: E paralajmërova Shkëlzen Berishën
Emri i Shkëlzen Berishës si personi që fshihej pas biznesit në Gërdec u lakua për herë të parë nga biznesmeni Kosta Trebickës, dëshmitari kyç i Gërdecit dhe trafikut të armëve, i eliminuar më pas mbi Voskopojë, përmes një inskenimi si aksident. Kosta Trebicka akuzoi Shkëlzen Berishës se kishte ndërhyrë tek Efraim Diverolit, trafikantit të armëve nga Florida, për të nxjerrë Trebickën jashtë loje nga biznesi e ambalazhimit të municioneve në Gërdec. Madje, para se të eliminohej, Kosta Trebicka e ka kërcënuar hapur Shkëlzen Berishën se do të fliste për rolin e tij në këtë histori. Pas shpërthimit, Trebicka ka pohuar se “E paralajmërova z. Shkëlzen se dokumentet do të kalojnë në dispozicion te investigatorëve specialë që do vijnë nga Rocki Aljend nga departamenti i armatimit, të cilët do vononin të nisnin investigimet për këtë skandal në Shqipëri. Unë jam shumë i hapur. Le të bëjnë çfarë të duan. Unë nuk jam i përzierje në këto afera me tha Shkëlzeni. Atëherë unë them se kam bërë shumë mire që e lajmërova z. Shkëlzen sepse e kisha për detyre që ta lajmëroja. Mendova se ai ishte implikuar pa dashje në këto afera dhe mendova se duhet lajmëruar kryeministri, i cili do të merrte masa drastike për të shkatërruar këto plane dhe për të vazhduar ecurinë e punës”. Por, Kosta Trebicka u gjet i vdekur disa javë më pas në 12 shtator 2008.
15. Shkëlzen Berisha pranoi takimin e Trebickën
Shkëlzen Berisha ka deklaruar se është takuar me Kosta Trebickën pasi ky i fundit nisi ta kërcënonte se do të fliste, pasi akuzonte Shkëlzenin se e kishte nxjerrë jashtë loje nga biznesi i fishekëve. “Për të njëjtën arsye të cilën i ndjeri e ka thënë vetë. Të njëjtën gjë ka deklaruar edhe në prokurori. Të njëjtën gjë e vërteton një person tjetër që ka qenë në të njëjtën tavolinë. Arsyeja e takimit ishte se i ndjeri Trebicka kishte krijuar, ose ishte thënë, se unë isha i përfshirë në biznesin e AEY-së dhe unë kisha kërkuar largimin e zotit Trebicka, nga ky biznes. Zoti Trebicka më kërkoi një takim përmes një miku të përbashkët. Jemi takuar të tre. Është bisedë e bërë në gjashtë sy dhe në gjashtë veshë dhe të gjithë deklarimet, e mija, të Trebickës dhe të personit të tretë janë të njëjta. Në këtë bisedë i kam bërë të qartë zotit Trebicka, që kjo është krejtësisht e pavërtetë. I kam thënë nëse ke dyshim për këtë, jam i gatshëm të takohemi me këdo që ti mendon se unë jam takuar, që t’i bind se nuk është e vërtetë, është trillim, i kanë gënjyer dhe mashtruar”.
16. Efraim Diveroli: Kjo gjë ka shkuar shumë lart, deri te kryeministri dhe djali i tij
Efraim Diveroli ishte një trafikant armësh nga Florida. Ai ishte presidenti i kompanisë “AEY”, e cila blinte municione kineze në Shqipëri për llogari të një tenderi të dhënë nga SHBA në vlerën 298 milionë dollarë. Me këto para, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes kërkoi të furnizojë forcat afgane të sigurisë me municione, por Diveroli shkeli embargon e SHBA-ve ndaj municioneve dhe armëve kineze. Fishekët kinezë manipuloheshin me ambalazh tjetër në Gërdec. Gjatë përgjimeve të Diverolit dhe Trebickës para shpërthimit të Gërdecit, Diveroli shprehet se në Gërdec janë implikuar Sali Berisha si kryeministër dhe Shkëlzeni, të cilët i konsideron si mafien më të fortë. Ndër të tjera, Efraim Diveroli shprehet se “…kjo gjë ka shkuar shumë lart, deri te Kryeministri dhe djali i tij. Kjo është. Kjo mafia është shumë e fortë për mua. Nuk mund ta luftoj këtë mafia. Është bërë shumë e madhe. Kafshët kanë dalë shumë jashtë kontrollit. Shumë lojtarë…”. Përgjimet janë pranuar nga Berisha dhe Shkëlzeni. Por, edhe Diveroli, ashtu si Luan Hoxha dhe Trebicka, më pas është tërhequr në mënyrë të dyshimtë, duke deklaruar se ka gënjyer.
17. Dëshmia e Bamir Topit: Shkëlzeni aktiv në çështjen e Gërdecit
Implikimi i Shkëlzen Berishës në Gërdec dhe qëndrimi kundra i Ilir Rusmalit trajtohet edhe nga ish-presidenti Bamir Topi, në librin e tij autobiografik me titull ‘Nocturn” (Kur arsyeja errësohet nga pushteti), duke iu referuar diskutimeve në Këshillin e Sigurisë Kombëtare pas shpërthimit. Bamir Topi shkruan se “Fillimisht ishte propozuar një raport ushtarak në Bërzhitë, fshat në juglindje të Tiranës, afër Petrelës. Me sa kuptoja nuk ishte pranuar, për shkak të infrastrukturës mbështetëse, që nënkuptonte rrugën e cila ishte e ngushtë për makina të mëdha transporti. Gërdeci, pranë Vorës, ishe vend ideal për përfituesit e këtij biznesi gjigant, ku ishin përfshirë sipas informacionit dhe medias edhe familjarë të Berishës, madje edhe baxhanaku i tij, Muhamed Hoxha, mbeti i vrarë. Përflitet që i biri kishte qenë aktiv qysh në procesin e vendimmarrjes, kur duhej të merreshin mendimet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Drejtësisë; madje Ilir Rusmali që drejtonte këtë ministri, kishte dhënë mendim negativ, por çdo gjë u realizua në Këshillin e Ministrave”.
18. Gazetari amerikan: Shkëlzeni u takua me çunat…
Gazetari amerikan, Guy Laëson, i cili është autor i librit “Armët dhe çunat”, ka deklaruar se Shkëlzen Berisha dhe Fatmir Mediu përfitonin para nga afera korruptive në Gërdec. “Djali i ish-kryeministrit u takua me çunat kur ata ishin në Shqipëri, për të rregulluar shpërndarjen dhe ripaketimin e këtyre municioneve me një çmim që ishte dyfish i çmimin që qeveria shqiptare po i merrte.
Qeveria shqiptare po i shiste municionet rreth 2 cent, për një kompani tjetër për rreth 4 cent, dhe më pas çunat e blinin për rreth 8 cent. Pra, çfarë ndodhi me ato para? Implikimi është i qartë; djali i Kryeministrit, ndoshta edhe vetë Kryeministri, sigurisht Ministri i Mbrojtjes dhe zyrtarë të tjerë, po përfitonin paratë, të cilat i dërguan në një kompani në Qipro dhe më pas u zhdukën”./Adriatik Doçi-shqiptarja.com/m.j