Irani ka reaguar fort pas vendimit për ardhjen në Shqipëri të një grupi prej 2500 pjesëtarëve të “Frontit të Rezistencës” që është opozita e regjimit të Teheranit. Në një shkrim të gjatë në radion shtetërore të Iranit në gjuhën shqipe, shkruhet me shkronja të mëdha:“Kerri sjell terroristët në Shqipëri” dhe në ballë të faqes ka vendosur një foto të Sadam Hyseinit me ish-kreun e “Muxhahidinëve të Popullit” që është as më pak e as më shumë po bashkëshorti i kreut aktual të opozitës iraniane, Masud Raxhavi.
Madje, radio iraniane shkon edhe me tej në akuzat e saj kur thotë se organizata opozitare që Teherani e quan “terroriste” do të transferojë kampin Liberty në Irak dhe do të ndërtojë një kamp të madh në Shqipëri, raporton Tesheshi.com. Ndërkaq, në faqen e saj në rrjetet sociale, Radio Irani përmend shërbimet secrete dhe ka botuar foto të shumta të pjesëtarëve të opozitës në disa vende të Shqipërisë, si në rrugë, autobusë urbanë por edhe në kampin shtetëror në Babrru. Me një fjalë ka lëshuar mesazhin se çdo gjë shikohet dhe përgjohet nga Teherani…
Një pjesë e komentit të Radio Iranit kundër qeverisë shqiptare
“Hyrja në kampin ‘Liberti’ dhe humbja e shpresave për tu kthyer përsëri në kampin ‘Ashraf’ të Irakut u bë shkak që krerët e këtij grupi terrorist të lakmojnë që ta shndërrojnë kampin Liberti si një bazë të përhershme të tyre. Mirëpo vendimi serioz i qeverisë së Irakut për dëbimin e organizatës terrorist Muxhahedine Khalk nga territori irakian, si dhe irritimi i popullit irakian ndaj pranisë së terroristëve të këtij grupi në vendin e tij, i detyroi krerët e këtij grupi terrorist që të kërkojnë një bazë të re për t’i vendosur pjesëtarët e kësaj organizate terroriste.
Në këtë mes me ndërmjetësimin e Amerikës, u zgjodh Shqipëria që të jetë vendi i ardhshëm për pranimin e terroristëve të organizatës “Muxhahedine Khalk”. Faktor tjetër që ndikoi në dërgimin e terroristëve të Muxhahedine Khalk në Shqipëri ishin edhe ligjet shqiptare të cilat dallojnë nga ligjet e vendeve të tjera evropiane dhe u japin mundësi krerëve terroristë të Muxhahedine Khalk që të kontrollojnë në mënyrë të ashpër pjesëtarët e kësaj organizate.
Përveç kësaj, ekzistojnë edhe faktorë të tjerë që tregojnë se krerët e grupit terrorist Muxhahedine Khalk në mënyrë serioze po hartojnë programe për një qëndrim afatgjatë në Shqipëri. Për shembull, transferimi i disa krerëve të lartë dhe të vjetër të grupit terrorist Muxhahedine Khalk në Shqipëri është bërë kryesisht për të ushtruar kontroll dhe vëzhgim të ashpër mbi pjesëtarët e këtij grupi që deri më tani janë vendosur në Shqipëri. Përveç kësaj, burimet informative gjithashtu kanë bërë të ditur edhe veprimet e këtij grupi për zgjerimin e bazës së tyre në Shqipëri duke blerë objekte më të përshtatshme.
Përveç kësaj, kohëve të fundit burimet informative kanë bërë të ditur se po bëhen përpjekje të mëdha që në Shqipëri të transferohen edhe disa pjesëtarë të grupit terrorist Muxhahedine Khalk që janë të përndjekur nga Interpoli dhe disa prej tyre janë persona shumë të afërt me Masud Raxhafi, kreun e grupit terrorist Muxhahedine Khalk si shefja e gardës së sigurisë së Raxhavi, Fatemeh Vatankhah Rahmani e njohur me nofkën “Sima Vatankhah, “Zhaleh Mahram Nia, anëtare e zyrës së Masud Raxhavi dhe “Roqaieh Abbasi” e njohur me nofkën “Raana”. Kjo dëshmon qartë se edhe kreu i organizatës terroriste Muxhahedine Khalk po përgatitet të transferohet në kampin e Shqipërisë”.