Me një njoftim të shkurtër, Këshilli i Ministravenjoftoi sot se kryeministri Edi Rama ka “informuar ministrin Cani për zëvendësimin e tij me një koleg tjetër”, ndërsa nuk dha arsye konkrete për shkaqet e shkarkimit. Paralelisht, Rama mësohet se emëroi si ministër financash Arben Ahmetajn, i cili deri tani ka qenë ministër i Ekonomisë.
BIRN shkruan se marrëdhëniet e Canit me Ramën duket se u përkeqësuan gjatë muajve të fundit në lidhje me projektin për dhënien me koncesion të sistemit për gjurmimin e faturave të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, një koncesion që fillimisht qe një propozim i pakërkuar i dorëzuar te Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Pikërisht ministri Ahmeti do të zëvendësojë Canin si ministër financash gjatë kohës kur pritet të kryhen edhe procedurat për tenderin e koncesionit.
Burime për BIRN kanë raportuar gjatë javëve të fundit se mbi ekspertët e Ministrisë së Financave ka pasur presion të lartë në lidhje me këtë koncesion, përfshirë së paku një dorëheqje.
Beteja për koncesionin, të cilin qeveria parapëlqen ta quajë Partneritet Publik Privat ka vijuar prej më shumë se një vit nëpër korridoret e Ministrisë së Financave, ku një pjesë e funksionarëve të ministrisë raportohet se kanë bërë rezistencë në mënyra të ndryshme ndaj projektit.
Vitin e kaluar, një letër e Ministrisë së Financave për qeverinë rrodhi në media dhe në të bëhej e qartë se Ministria e Financave e kundërshtonte idenë e këtij koncesioni.
Vetë ministri Cani në përgjithësi ka shmangur të mbrojë në mënyrë të drejtpërdrejtë projektin duke parapëlqyer që zëvendësministrja Irena Beqiraj të flasë për të.
Gjithsesi, Cani në Kuvendin e Shqipërisë, mbajti një fjalim të gjatë në mbrojtje të koncesionit duke argumentuar se ky koncesion është ndryshe nga ato të dhëna nga qeveria paraardhëse.
Kjo është hera e dytë që Cani hyn në mosmarrëveshje të thella me kryetarë partish. Herën e parë, kur ishte Guvernator i Bankës së Shqipërisë në vitin 2003, hyri në konflikt me ish-kryeministrin Fatos Nano në lidhje me kërkesën për lejimin e blerjes së Bankës Kombëtare Tregtare nga një bankë e vogël turke. Cani refuzoi ta firmosë dhe u përball me disa kontrolle audituese që sollën arrestimin e ish-zëvendësguvernatorit Dhame Pite. Konflikti u mbyll pasi Cani nuk u rikandidua më për postin e guvernatorit kur mandati i tij përfundoi në vitin 2004. Pasardhësi i tij Ardian Fullani firmosi menjëherë transaksionin për shitjen e BKT-së.