Në këtë pjesë në vazhdim të dokumentarit, do të ndalemi kryesisht te hetimet që kreu Prokuroria e Krujës, por edhe te dëshmitë që dhanë familjarët e tij, përpara grupit hetues.
Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në shënjestër’, kallëzimi për zhdukjen e Anton Prenit, u bë nga familjarët e tij, në të njëjtën ditë të moskthimit të tij në banesë.
Ky kallëzim, sipas bashkëshortes së tij, u bë nga Sokol Preni, vëllai i Anton Prenit, i cili, thuhet se njoftoi komisaratin e Fushë-Krujës, mbi zhdukjen e tij.
“Më datë 5 Gusht 2012 rreth orës 06:30 bashkëshorti im Anton Preni është larguar nga banesa për të shkuar në punë tek Fabrika e tullave ne Fushë- Krujë dhe nuk është kthyer më. Për këtë arsye po më datë 5 Gusht 2012 meqenëse ai nuk u kthye në shtëpi, vëllai i tij, Sokol Preni, ka njoftuar Komisariatin e Policisë Krujë ku ka bërë kallëzim penal për largimin dhe moskthimin në banesë të Antonit”, deklaron Bardhe Preni.
Në dëshminë e tij dhënë përpara grupit hetues, Sokol Preni, pranoi problemet me familjen Maloku.
Ai tregoi se si në vitin 1999, një nga vëllezërit e tij, Roberti, kishte vrarë Shkëlqim Malokun, me banim në Fushë-Krujë.
Por pavarësisht se Sokol Preni pranoi se përgjegjësinë mbi vrasjen e kishte marrë përsipër vetë vëllai i tij vrasës, ai hodhi dyshime se zhdukja e vëllait tjetër të tij, Antonit, kishte lidhje pikërisht me këtë vrasje.
“Në vitin 1999 vëllai im, Robert Preni, ka vrarë shtetasin Shkëlqim Maloku, me banim në Fushë-Krujë. Në lidhje me këtë ngjarje, autorësinë e ka mbajtur vetë Roberti. Gjatë gjithë kësaj kohe, Antoni nuk ka pasur asnjë problem me familjarët e viktimës dhe fisin Maloku.
Për këtë arsye deri tani Antoni kanë dalë lirshëm nga shtëpia e tij, por fakti që Antoni nuk është kthyer më në banesë, tregon se mund t’i ketë ndodhur ndonjë gjë, mund ta kenë vrarë për gjakmarrje”, deklaron Sokol Preni.
Për këtë arsye, bazuar edhe mbi këto dyshime, vetëm një muaj më pas, Prokuroria e Krujës, hapi lidhur mbi rastin një procedim penal për ‘vrasje me paramendim’, ku midis personave të parë që u thirrën për të dëshmuar ishte edhe djali i Anton Prenit.
“Babai im Antoni, u nis për në punë te Fabrika e Tullave dhe rreth orës 6.30, koha kur doli edhe nga banesa.
Personi i fundit që e pa ishte motra ime Rajmonda, e cila më tha se babai u nis për në punë me biçikletë.
Por në shtëpi ai ka lënë telefonin dhe me vete nuk kishte asgjë, madje as lekë”, tregon Elvis Preni.
Por ndërsa jepte këto deklarime, djali i Anton Prenit, tregoi se si vetëm një ditë pasi babai i tij ishte zhdukur papritur, një numër privat telefonoi vazhdimisht në numrin e tij, por duke mos folur asnjëherë.
“Unë nuk kam dijeni se ku mund të jetë larguar babai im, por me datë 06 Gusht 2012, në telefonin e tij me numër 068 525…, e kanë marrë 13 herë në telefon, me numër privat duke mos folur. Unë mendova se këto telefonata mund të kenë lidhje me largimin e babait tim”, dëshmon Elvis Preni.
Por të ripyetur edhe njëherë nga grupi hetues, familjarët e Anton Prenit, i qëndruan edhe njëherë bindjes së tyre të parë, se zhdukja e tij kishte lidhje me vrasjen që njëri nga vëllezërit Prenit, kishte kryer 13 vite më parë
“Pasi u pyetën edhe njëherë familjarët e Antonit, gruaja, djali, vajza dhe vëllai i tij, në deklarimet e tyre ata thonë se humbja e Antonit, nuk është e rastësishme. Ata dyshojnë se të afërmin e tyre, mund ta kenë vrarë për t’u hakmarrë në lidhje me vrasjen e shtetasit Shkëlqim Maloku”, thuhet në dosjen hetimore.
Në lidhje me këto dyshime, grupi hetues u ndal edhe te dëshmitë e familjarëve të Shkëlqim Malokut.
Një nga këto persona që u pyet ishte edhe bashkëshortja e të ndjerit, i cili siç thamë ishte ekzekutuar në vitin 1999, nga Robert Preni, vëllai i Anton Prenit.
Sipas dosjes hetimore, ajo sapo ishte kthyer në Shqipëri, sipas saj për pushime verore, por ajo nuk pranoi në asnjë moment që të kishte lidhje me zhdukjen e Anton Prenit.
“Unë kam ardhur në Shqipëri më datë 29 Korrik 2012, për të kaluar pushimet së bashku me djalin tim Krismanin, vëllain Gentian Duka, nusen dhe fëmijët e tyre. Gjatë kësaj kohe unë kam qëndruar në shtëpinë time në Fushë-Krujë si dhe te shtëpia e prindërve të mi në Krujë. Më datë 3 Gusht 2012 së bashku me djalin tim, vëllain Gentianin, nusen e tij dhe fëmijët e tyre, si edhe me nusen e vëllait tjetër, Verën, djalin e tyre dhe vajzat, kemi shkuar për të kaluar pushimet në Vlorë.
Ne jemi kthyer në Krujë më datë 12 Gusht 2012.
Gjatë këtyre ditëve unë kam qëndruar në hotel dhe nuk kam lëvizur në asnjë qytet tjetër përveçse një ditë kur kemi shkuar me skaf në Karaburun, kurse Gentiani ka shkuar dy herë së bashku me familjen e tij në Dhërmi pasi kishte një shokun e tij nga Kruja që quhet Fred Merlika me të cilin bënin plazhin bashkë”, deklaroi Valbona Maloku.
Por ndërsa bënte këto deklarata, bashkëshortja e Shkëlqim Malokut, tha ndër të tjera për grupin hetues, se ndërkohë kishin marrë telefonata kërcënuese nga familja Preni.
E cila, sipas saj, u kërkonte llogari, për fatin e të afërmit të tyre, të zhdukur që prej datës 5 gusht.
“Unë ndërkohë mësova nga vëllezërit e mi, të quajtur Kujtim dhe Agim, se ata ishin kërcënuar me jetë nga shtetasi Robert Preni dhe nipi i tij, djali i Antonit. Ata i kishin kërkuar numrin tim të telefonit në Gjermani për të folur me mua. Unë fillimisht u thashë të mos e jepnin, por më vonë i thashë Kujtimit që tua jepte”, tregon Valbona Maloku.
Sipas Valbona Malokut, ata që e morën në telefon nuk ishin vëllezërit e Anton Prenit, por bashkëshortja e tij, që po e kërcënonte me jetë, nëse nuk i kthenin burrin.
“Pak kohë, pasi më kërcënuan vëllezërit, në telefon më mori merr nusja e Anton Prenit, Bardhe Preni. E cila mu drejtua me fjalët: ‘Jam Bardhe Preni dhe dua burrin. E ke bërë plan me policinë. Me makinë të zezë. Më ke marrë burrin, po qe burri gjallë, ma sill, nuk do themi gjë se kush e ka marrë. Po qe vdekur, do të vrasim ty me gjithë fëmijët, jo në Gjermani të jesh, por edhe përtej Gjermanisë’. Pasi mbaroi, unë i thashë se nuk ta kam marrë unë burrin. Nëse do, e bëjmë sipas zakonit. Mblidhi burrat dhe vij nga Gjermania, të bëj be ku dhe si të duash ti. Ajo tha: ‘nuk dua be prej teje por dua burrin’”, tregon Valbona Maloku.
Kjo telefonatë, siç shikohet edhe në këtë intervistë të fundit të dhënë për emisionin ‘Në shënjestër’, pranohet edhe nga vetë bashkëshortja e Anton Prenit.
E cila thotë se Valbona Maloku, e adresoi Bardhe Prenin, në lidhjen me humbjen e bashkëshortit të saj, te kunati i saj, pra te Robert Preni, i vetmi që sipas saj mund të kishte dijeni për humbjen e vëllait.
“Unë vetëm kam kontaktuar me nusen e Shkëlqim Malokut. Me atë kam kontaktuar dhe i kam thënë ma sill burrin sidoqoftë gjallë apo vdekur, unë e dua. Nusja e Shkëlqim Malokut më ka thënë nuk ta kam unë dhe stë kam as hak as hile, pyet kunatin tënd. Jo një herë, por tre-katër herë më ka thënë pyet kunatin tend”, thotë Bardhe Preni.
Në lidhje me këtë ngjarje grupi hetues mori në pyetje edhe shumë persona të tjerë që mund të dinin diçka për zhdukjen e Anton Prenit.
Pothuaj mbi 25 persona që mund të kishin dijeni mbi fatin e tij.
Midis tyre anëtarë të familjeve Preni dhe Maloku, si edhe kolegët e punës së Anton Prenit.
Por siç del nga dosja hetimore, askush prej tyre nuk dha detaje me rëndësi për vendndodhjen e tij.
Por çuditërisht ndërsa Prokuroria e Krujës, pritej të vazhdonte hetimet mbi zhdukjen e një personi, mbi të gjitha të një babai dhe bashkëshorti, këto hetime u ndërprenë.
“Nga kryerja e gjithë veprimeve hetimore të duhura në lidhje me këtë proçedim penal nuk rezultoi asnjë e dhënë që mund të bëjë të mundur identifikimin e autorit ose autorëve të kryerjes së veprës penale të “Vrasjes me paramendim”.
Në mbështetje të nenit 326 të Kodit të Proçedures Penale, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë Vendosi :
Të pezullojë hetimet për procedimin penal nr.369, të vitit 2012 sepse: Autori i veprës penale nuk njihet. Kalimin e këtij proçedimi për ndjekje të mëtejshme sektorit të krimeve pranë Komisariatit të Policisë Krujë.
Pas hetimit të çështjes, Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë ka vendosur pushimin e çështjes”, thuhet në dosjen hetimore.
Por ndërsa këto hetime u mbyllën shumë pikëpyetje mbetën të pazbardhura lidhur mbi zhdukjen e Anton Prenit.
Lidhur mbi telefonatat që ai mund të ketë marrë gjatë ditëve të fundit, para se të zhdukej.
Përse nuk u bë zbardhja e këtyre tabulateve telefonike.
Ndërkohë që u kërkua edhe identifikimi i një numri telefoni, por edhe i shumë të tjerëve.
Ku midis tyre një telefonatë e kryer më datë 4 gusht 2012, një ditë para se Anton Preni, të zhdukej duket se ka përbërë interes për grupin hetimor.
“Nga tabulatet e nxjerra rezulton se më datë 4 Gusht 2012, në orën 11:01, në numrin e telefonit të shtetasit Anton Preni ka telefonuar numri 06864…. Nga ana e Prokurorisë i është bërë kërkesë kompanisë telefonike celulare AMC për identifikimin e këtij numri”, thuhet në dosjen hetimore.
Por ajo ngre pikëpyetje të shumta mbi seriozitetin e punës së grupit hetues, është nëse u siguruan të gjitha pamjet filmike të itinerarit të tij të fundit nga banesa deri në Fabrikën e Tullave në Fushë-Krujë.
Nëse kishte lëvizje të dyshimta rreth këtij itinerary, nga persona të cilët ishin të interesuar për të kryer rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e tij.
A u mbajtën në përgjim me metoda special, personat të cilët dyshoheshin nga famulja, si autorë të mundshëm të eleminimit të Anton Prenit.
Dhe kush fshihej pas telefonatave anonime që vinin herë pas herë në familjen Preni.
“Ai nuk kishte as konflikte as probleme. Dy javë para te fabrika e tullave ka hyrë një kushëri në punë aty, por ai i ka treguar dhe përgjegjësit që është në gjak, por probleme nuk ka patur.
Nuk më kanë thirr as në gjykatë, as në prokurori as në polici, as askund, veç kur kemi shkuar vetë edhe e kemi kërkuar. Se policia asnji nuk na ka bërë thirrje.
Kena kërku, ‘jemi duke punuar’ edhe aq, se kur do të mbarojë ajo punë unë nuk e di. 10 vjetë e gjysmë ato thonë jemi duke punuar, po se çfarë janë duke punuar nuk e di”, tregon Bardhe Preni.
Për familjen Preni tashmë nuk ka më asnjë shpresë se i afërmi i tyre mund të jetë gjallë.
Por ata besojnë ende se mund të gjendet qoftë edhe një fijë dritë për të zbardhur fatin e të afërmit të tyre.
Apo se dikush mund të ketë kurajon dhe të thotë se çfarë ndodhi me të atë të diel të 5 gushtit 2012.
Dhe emri i tij të mos jetë thjesht një emër më shumë në listën e gjatë të të zhdukurve në Shqipëri.
Te zhdukur të cilët kërkojnë një gur mbi kokë, por edhe drejtësi.
Drejtësi e munguar në shumë raste.
Por edhe fajtore, që nuk mundi të zbulojë fatin e Antonit dhe për të shuar një peng që ka mbetur ende mbi familjen e tij.
Se një ditë edhe ata do mësojnë të vërtetën se çndodhi me njeriun e tyre të dashur.
“Unë mendoj se nuk mund të ketë shpresë se i thonë 10 vjet e gjysmë, zoti bën mrekulli, por nuk ma merr mendja.
I bëj thirrje shtetit që ta zbardhë çështjen e Anton Prenit, sidoqoftë vetëm ta zbardhë, ta dimë si është puna, asgjë më tepër.
Unë i bëj thirrje kushdo që ta dijë, ta tregojë të vërtetën, ta dimë të saktë se ku ndodhet, si është gjendja e atij, asgjë më tepër”, deklaron Bardhe Preni.
/e.d