Numri i të huajve që po vizitojnë Shqipërinë për qëllime turistike po rritet vit pas viti, por nga ana tjetër, infrastruktura për të ofruar shërbimet e duhura nuk po ecën me të njëjtat ritme, duke i trembur operatorët turistikë për qëndrueshmërinë e flukseve.
Të dhënat e sotme të INSTAT tregojnë se, numri i shtetasve të huaj që hynë në Shqipëri gjatë vitit 2022 është 7.543.817, duke u rritur me 32,6%, në krahasim me vitin 2021.
Por në të njëjtën periudhë, numri i shqiptarëve që udhëtuan jashtë shënoi rritje të ndjeshme. Të dhënat tregojnë se, numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga Shqipëria në vitin 2022 është 5.882.007 persona duke u rritur 40,4%, krahasuar me vitin e mëparshëm.
Gjatë vitit 2022, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 3,6 herë dhe Anglia me 85,9%, ndërsa Zvicra ka pasur rritjen më të ulët me 14,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Kosova vijon të jetë kryesorja ku për janar-nëntor, shqiptarët e Kosovës shënuan shifrën mbi 3 milionë, me rritje 20% në raport me 2021-in.
Në vendin e dytë dhe të tretë janë Maqedonia e Veriut dhe Italia me rritje 19% dhe 74% që në numër është 631 mijë dhe 561 mijë hyrje të shtetasve nga këto vende.
Të dhëna më të detajuara tregojnë se, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë nga pikat ajrore është rritur me 71,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, nga pikat detare është rritur me 42,6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe, nga pikat kufitare tokësore është rritur me 27,9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Veçmas për muajin dhjetor, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Dhjetor 2022, ishin 965,495 persona. Ky tregues rezulton me një rritje 44,7%, krahasuar me Dhjetor 2021. Në dhjetor 2022, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 391.565. Ky numër është rritur me 46,4%, krahasuar me Dhjetor 2021.
Në Dhjetor 2022, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri ishte Spanja, e cila ka pasur rritjen më të madhe me 74,2% dhe Mali i Zi me 70,0%, krahasuar me Dhjetor 2021.
Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Dhjetor 2022, ishin 1.070.394 persona, duke shënuar një rritje me 71,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjatë dhjetorit dolën jashtë vendit 634.998 persona. Krahasuar me Dhjetor 2021, ky numër është rritur me 85,2%. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit dhjetor 2022, janë 435.396. Krahasuar me dhjetor 2021, ky numër është rritur me 55,5%.
Në dhjetor 2022, numri i shtetasve të huaj të hyrë në territorin e Shqipërisë për qëllime “Personale” është 383.136, duke u rritur me 48,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri i shtetasve që kanë dalë nga pikat ajrore është rritur me 75,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, nga pikat detare është rritur me 55,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./ MONITOR
/e.d