Pas mbledhjes me deputetët, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla refuzoi të komentonte gjatë çështjen e inceneratorëve duke thënë se është bërë një hetim parlamentar ku deputetë kanë qenë vetë prezent.
“Unë nuk komentoj emisione televizive apo video, kuvendi si rrallë herë ka bërë një hetim parlamentar ku deputetët kanë qenë vetë prezent në të tre impiantet e trajtimit të mbetjeve. Qytetet duhet të vazhdojnë të pastrohen”, tha Balla.
Sa i përket projektligjit për amnistinë fiskale dhe kundërshtimeve nga ndërkombëtarët, Balla u shpreh se këta të fundit kanë zhvilluar një takim me ministren.
“Drafti i amnistisë fiskale nuk ka ardhur ende në Kuvend dhe sapo të vijë natyrshëm do të informoheni. Unë jam kryetar i grupit parlamentar dhe nga informacionet që kam marrë nga ministrja ka pasur një dialog konstruktiv me ekspertët të delegacionit dhe jeni në një fazë drejt fundit. Ky dokument është ende në këshillin e ministrave dhe nuk më takon mua”, tha ndër të tjera Balla.
Gjithashtu, Balla deklaroi sa i përket 21 janarit PS do të depozitojë një tjetër kallëzim në SPAK, ndërsa i kërkoi këtij të fundit që të hetojë çështjen ku mbetën të vrarë katër persona.
“PS është subjekti që ka thirrur protestën e 21 janarit, 4 dëshmorët janë 4 prej nesh. Në dritën e provave të reja, siç është audio përgjimi që është bërë publik, bazuar edhe në faktin që dosja penale për vrasjen e Aleks Nikës është ende në prokurorinë e Tiranës, ne nxisim SPAK ta hetojë këtë çështje. Në orët në vijim do të jetë kallëzimi i PS-së”, shtoi ai.
/e.d