Gazetari investigativ Artan Hoxha i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24 ka folur në lidhje me ngjarjen e rëndë të 21 Janarit 2011, ku 4 protestues humbën jetën në oborrin para Kryeministrisë gjatë tubimit.
Hoxha deklaroi se familja e Aleks Nikës, njërit prej protestuesve të vrarë në bulevard para 12 vitesh, ka marrë një foto të vrasësit të djalit të tyre e cila u është dërguar në anonimat. Sipas tij prova e publikuar së fundmi është e pakundërshtueshme dhe se tregon që vrasjet nuk janë bërë si thotë gjykata apo si është thënë nga qeveria në atë kohë.
Sakaq, Hoxha shtoi se ka besimin se SPAK ka një mundësi të mirë për hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes, që 21 janarin e ardhshëm të mund të jetë një realitet tjetër pas veprimit të drejtësisë.
“12 vite më pas problemi është që u bë ajo ceremonia që bëhet gjithmonë, unë nuk shkoj aty asnjëherë. Sivjet jam pak më i qetë se herët e tjera sepse pata mundësi që të paktën familjen e Aleks Nikës, vrasja e të cilit nuk ka ende autor. Familjes së Nikës i është dërguar fotoja e vrasësit të djalit të tyre. Në një moment kur nuk ka hetime ndodh kjo. Duhet të kishte një përgjigje për opinionin publik, si është e mundur që edhe 12 vite më pas nuk është bërë një hetim ku të deklarohet para gjykatës, duke filluar që nga presidenti, kryeministri e kreu i opozitës së asaj kohe. Unë kam gjetur një provë të re që është e pakundërshtueshme.
Në mbrëmjen e 21 janarit janë publikuar pamjet e vrasjes së Ziver Veizit, deri në atë moment në debate u tha se vrasjet u bënë nga protestuesit. Faktet që dolën nga News24 në mbrëmje ndryshoi rrjedhja e ngjarjes dhe hetimeve. Një industri e tërë u vu në detyrë për të fshehur provat dhe kjo kërkon një hetim. Ina Rama nuk ka treguar kurrë se çfarë ka ndodhur pas 21 janarit. Ajo që ka ndodhur është se janë fshirë provat, janë fshirë serverat. Kamerat e kryeministrisë nuk kishin asnjë pamje, gardistët komunikonin me radio dhe më pas nuk u gjet asgjë. Nuk u gjet asnjë urdhër as në sallën e tyre operative. Ndërkohë prova e re që kemi gjetur, e cila është e pakundërshtueshme. Kjo provë tregon që vrasjet nuk janë bërë si thotë gjykata apo si u tha nga qeveria në atë kohë. Kjo provë dëshmon se vrasjet janë bërë me urdhër.
Sot unë besoj se SPAK ka gjithë mundësitë për të zbardhur ngjarjen. Besoj shumë se ndoshta 21 janarin e ardhshëm nuk do kemi sërish atë ceremoninë në bulevard për nderimin e viktimave por mund të kemi një realitet tjetër.”, tha Hoxha./m.j