Ish-sulmuesi i njohur brazilian Robinjo, mund të përfundojë pas hekurave për dënimin që mori pas gjyqit për përdhunimin e nëj shtetaseje shqiptare në një klub në Milano në vitin 2013, kur ishte ende pjesë e Milanit. Edhe pse shteti brazilian refuzon ekstradimin e tij në Itali ku u dha dënimi me 9 vite burg, ish-lojtari mund ta vuajë këtë dënim në vendin e tij.
Flavio Dino, Ministri i Drejtësisë në Brazil, ka folur rreth kësaj çështje dhe ka konfirmuar se kjo çështje do të merrej shumë shpejt në shqyrtim.
“Kushtetuta braziliane na ndalon ekstradimin e shtetasve brazilianë të lindur këtu. Por tani mund të kryhet ky dënim në Brazil. Më parë, çështja e tij duhet shqyrtuar nga organet përkatëse”, tha ai.
Shteti italian i ka kërkuar zyratrisht Brazilit që Robinjo të vuajë këtë dënim dhe ministri brazilian konfirmoi se sipas procedurës, e gjithë çështja e tij do të analizohet nga autoritetet përkatëse juridike në vend për çështje të tilla. “Nuk do të jetë një çështje politike”, siguroi ai duke shtuar se “qëndrimi ynë i përgjithshëm është se çdo krim, nga kushdo qoftë kryer ai, duhet ndëshkuar”.
/e.d