Speciale Javanews/ Kriza e emigrantëve ka prekur prej kohësh Evropën dhe vendet e Ballkanit po e vuajnë këtë fluks, si porta hyrëse drejt perëndimit për refugjatët që vijnë nga Siria dhe Lindja e Mesme.
Grupime prej qindra personash përshkojnë rrugën përmes Greqisë, Maqedonisë, Serbisë e më pas Austrisë për t’u shpërndarë më pas në vendet e Bashkimit Evropian. Vende si Hungaria kanë ndërtuar mure me tela me gjemba për frenimin e emigrantëve, masë që janë gati ta ndërmarrin edhe vende si Maqedonia dhe Serbia. Territori shqiptar mund të jetë rruga e re e grupimeve masive të refugjatëve, gjë për të cilën autoritetet shqiptare po marrin masat për çdo situatë. Nëse Maqedonia dhe Serbia bllokojnë kufujtë, atëherë rruga e refugjatëve me siguri do të zhvendoset drejt Shqipërisë dhe Malit të Zi. Por, pavarësisht se në dukje vendi ynë duket sikur nuk është prekur nga kriza e emigrantëve, në fakt mijëra klandestinë kanë kaluar përmes Shqipërisë, edhe pse jo në të njëjtat nivele me vendet fqinje. Klandestinët që kanë përdorur territorin shqiptar, kryesisht sirianët përdorin dy mënyra, duke kaluar përmes dokumenteve të falsifikuara, ose duke kaluar në mënyrë klandestine nga grupe trafikantësh.
Me disa pasaporta false, nga Rinasi drejt Evropës…
Autoritetet shqiptare kanë konstatuar disa dhjetëra raste kur shtetas të huaj kanë tentuar të kalojnë përmes aeroportit të Rinasit me dokumente të falsifikuara. Por, shumë persona nga Siria dhe Lindja e Mesme mund të kenë kaluar falë këtyre dokumenteve. Midis të ndaluarve, ka pasur edhe shtetas sirian të cilëve i’u janë gjetur më shumë se 1 pasaportë e falsifikuar me identitet të huaj. Një shtetasi sirian i cili u ndalua në aeroportin e Rinasit në fund të nëntorit të vitit të shkuar, i’u gjetën 3 pasaporta të falsifikuara të kombësive të ndryshme. 57-vjeçari Muhamed Abduhselam Aldughll u ndalua në Rinas pasi kishte mbërritur nga Turqia, ku kishte përdorur një pasaportë të këtij shteti për të udhëtuar drejt vendit tonë. Ai u paraqit tek rojat kufitare me një tjetër pasaportë të falsifikuar, këtë herë të shtetit të Guatemalas dhe gjatë kontrollit, u zbulua edhe pasaporta turke e falsifikuar që përmbante një vizë britanike. Për të humbur gjurmët, por edhe për të respektuar marrëveshjet midis vendeve për lëvizjen pa viza ky shtetas përdori së paku 3 pasaporta. Muhamed Abduhselam Aldughll u dënua nga Gjykata e Tiranës për falsifikim me 6 muaj burg, por dënimi zbriti në 4 muaj pasi ai u procesi u zhvilua me gjykim të shkurtuar.
“Ne gjendjen qe jane aktet, personi nen hetim e ka pranuar autoresine ne kryerjen e kesaj vepre penale te parashikuar nga Neni 189/1 i K.Penal duke shpjeguar se dokumentet ne fjale i ka siguruar nepermjet nje personi te quajtur Adil kundrejt shumes 5.000 dollare te cilin e ka takuar ne Stamboll, Turqi dhe se qellimi i tij ka qene vajtja per ne Britani tek e bija e tij, nepermjet Shqiperise gjithmone per shkaqe ekonomike.
Jane administruar ekspertimet teknike me nr.12147/2015, ku me te cilin konkludohet se tek pasaporta e Guatemales me nr.262272504 me gjeneralitete Erwin Giovanni Meza Peres i date 13.04.1958, objekt ekspertimi konstatohen nderhyrje fallsifikuese. Viza angleze me nr.013125652, e ndodhur ne faqen nr.22 te pasaportes turke eshte teresisht e fallsifikuar”, thuhet midis të tjerash në vendimin e Gjykatës së Tiranës.
Nga malet përmes Shqipërisë
Gjatë vitit 2015 Policia e Shtetit ka ndaluar rreth 2500 klandestinë të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar përmes kufirit me Greqinë. Shumica e këtyre personave kanë rezultuar me shtetësi siriane. Disa mijëra të tjerë dyshohet se kanë arritur të kalojnë pa u pikasur sipas. Gjatë operacioneve policia ka ndaluar edhe shtetas shqiptarë të cilët paguheshin në shuma të ndryshme për të ndihmuar këta persona të kalonin në mënyrë të jashtëligjshme territorin shqiptar. Këto grupime, pasi i merrnin klandestinët sirian pranë kufirit me Greqinë, i transportonin drejt kufirit malazez, ku i prisnin trafikantë nga ky shtet, për t’i shpërndarë më pas në vendet e tjera evropiane. Por, zinxhiri i trafikut nis nga Turqia, aty ku grupimet e trafikut i transportojnë emigrantët në Greqi, më pas në Shqipëri, Mal të Zi, Serbi, Austri e më gjerë. Për të përfunduar të gjithë këtë itinerar, klandestinët paguajnë shuma të ndryshme që variojnë nga 4 mijë deri në 7 mijë euro.
Rreziku terrorizmit
Është pranuar tashmë publikisht dhe shumë zyrtarë të lartë evropianë flasin për mijëra terroristë që mund të kenë hyrë në Evropë me dokumente të falsifikuara. Ata kanë përdorur rrugë të ndryshme. Disa i janë bashkuar turmave me mijëra persona që çajnë kufijtë çdo ditë përmes Ballkanit, ndërsa disa të tjerë kanë zgjedhur edhe rrugë ajrore, duke përdorur letërnjoftime false. Në Turqi, disa javë më parë, një terrorist i ISIS kreu sulm vetë-vrasës më bombë në qendër të Stambollit. Hetimet vërtetuan se ai ishte regjistruar në listat e refugjatëve të larguar nga lufta siriane. Në Evropë po shtohet frika e sulmeve nga persona të tillë të regjistruar si refugjatë. Të rrezikuar sipas ekspertëve mund të jenë të gjithë vendet e rreshtuar në koalicionin anti-ISIS, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Por, për momentin, vlerësohet se vendi ynë nuk është objektiv, për vet rolin modest që mban në koalicionin perëndimor kundër ISIS. Gjithsesi, nga Shqipëria çdo informacion vlerësohet maksimalisht, dhe kriza e emigrantëve po merr një vëmendje të rëndësishme nga Policia e Shtetit. /Javanews-A.Malasi