Nga Jonathan Rutherford
Gjatë dy dekadave të fundit, SHBA-ja është dominuar nga narrativa e rremë se po shkon drejt kolapsit dhe më pas nga kundër-reagimi. Historia mund të përsëritet në të gjithë botën perëndimore dhe askush nuk e ka treguar më mirë këtë sesa politogu amerikan Majkëll Lind.
Në librin e tij “Kombi i ardhshëm amerikan” (1995), Lind parashikoi riorganizimin politik në politikën amerikane shumë vite përpara se të shpërthente vala e populizmit kombëtar dhe demagogjisë së krahut të djathtë. Ai ka zhvilluar së fundmi idetë e tij në librin e ri “Lufta e re e Klasave (2020).
Në këtë libër ai bën një analizë sfiduese të krizës me të cilën përballet e majta perëndimore.
Ai mbështetet në tre argumente qendrore. E para është se shekulli XXI-të është epoka e nacionalizmit dhe e shtetit kombëtar. E dyta që ekonomia politike e së ardhmes nuk do t’i japë përparësi tregjeve të lira dhe ndjekjes së 4 lirive abstrakte të mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe njerëzve. Fokusi do jetë tek zhvillimi social dhe ekonomik kombëtar, atë që ne e quajmë nivelim.
Dhe së treti, struktura klasore e shoqërive kapitaliste ka ndryshuar thellësisht përmes rritjes së një klase menaxheriale dhe kolapsit të pushtetit politik të klasës punëtore, në dëm të madh të kësaj të fundit. Kjo klasë menaxheriale është tani forca dominuese në krahun e majtë.
A mund ta shpjegoni pse e vlerësoni kaq shumë nacionalizmin?
Nacionalizëm në kuptimin e “shtet-kombit” do të thotë se njësia politike është shteti-komb, në të cilin shteti për qëllime qytetare “huazon” gjuhën dhe kulturën e shumicës, edhe nëse përmban disa pakica kulturore. Pavarësisht se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen, deri më sot shteti-komb është e vetmja njësi e qeverisjes që ka qenë në gjendje të mobilizojë ndjenjat ekstrapolitike popullore dhe identitetin kombëtar për të përmirësuar gjendjen e shumicës së njerëzve, jo vetëm një oligarki apo aristokracia.
Pse mendoni se shekulli XXI do të jetë epoka e shtetit-komb?
E përse jo? Shekujt XVIII, XIX dhe XX ishin epokat e shtetit-komb. Po i tillë do të jetë dhe ky shekull. Format karakteristike të epokës agrare, perandoria dinastike, shumëkombëshe dhe qytet-shtetet, ia kanë lënë vendin pothuajse kudo shteteve-kombeve. Arsyeja është se shteti-komb kombinon shkallën e monarkive shumëkombëshe para-moderne me patriotizmin qytetar të qytet-shtetit republikan. Ndjenja e identitetit të përbashkët është e rëndësishme, sepse qeveritë dhe ekonomitë moderne janë komplekse dhe mbështeten në një nivel të lartë të legjitimitetit publik për të funksionuar.
Ju thoni “të majtët besojnë tek shteti, por jo tek kombi, ndërsa të djathtët besojnë tek kombi, por jo tek shteti”. Partitë tona politike nuk janë të mirë-pajisura për ta ndjekur këtë lloj shtet-formimi….
Ato kanë qenë gjithmonë të papërgatitura. Në epokën moderne, partitë politike kanë përfituar nga burime relativisht jo-partiake dhe jashtë-politike të identitetit kombëtar dhe solidaritetit kombëtar. Historianët, artistët dhe kompozitorët kanë ofruar imazhet e përbashkëta të kombeve të veçanta, ndërsa sindikatat, kishat, bamirësitë, ekipet sportive, festivalet muzikore, klubet e veteranëve dhe të tjerë mund të promovojnë identitetin e përbashkët. Aftësia e liderëve politikë, edhe në regjimet despotike, për të krijuar dhe promovuar një “narrativë kombëtare” është shumë e kufizuar.
Argumenti juaj mbi domosdoshmërinë e një “identitet të përbashkët”, sugjeron që ju e refuzoni idenë e multi–kulturalizmit…
Multi–kulturalizmi është i rëndësishëm në shoqëri si Zvicra apo Kanadaja (me komunitetet e tyre anglofone dhe frankofone), në të cilat dy ose më shumë kombe etno-kulturore ruajnë përgjithmonë dallimin e tyre dhe ka pak martesa të përziera. Alternativa është modeli i “kazani shkrirës”, në të cilin dy ose më shumë grupe bashkohen kulturalisht dhe demografikisht nëpërmjet martesës.
Por përvoja na thotë vazhdimisht se ky model është zëvendësuar nga metafora e “tasit të sallatës”, në të cilën përbërësit ruajnë dallueshmërinë e tyre. Por ky nuk është rasti i SHBA-së, ku pasardhësit e emigrantëve të të gjitha prejardhjeve priren të ndajnë kulturën amerikane dhe anglishten amerikane.
Rritja e normave të martesës të përziera po i mjegullon vijat ndarëse midis të ashtuquajturve të bardhë johispanikë, aziatikë, hispanikë dhe afrikano-amerikanë në SHBA, duke i bërë gjithnjë e më të padobishme këto kategori. Mbretëria e Bashkuar është bërë një “kazan shkrirës”. Kryeministri aktual është britanik me prejardhje indiane.
Por unë pyes: Nëse shoqëritë perëndimore po bëhen kazanët e shkrirjes trans–raciale, jo sallata multi–kulturore, atëherë pse elitat e qeverisë, korporatave, akademike dhe mediatike po forcojnë politika të tilla si diversiteti, barazia dhe përfshirja (DEI) bazuar në idenë e rreme se hendeqet midis grupeve racore dhe etnike janë të përhershme apo edhe në rritje?
Përgjigja është se theksi i vazhdueshëm mbi pabarazitë racore dhe etnike e largon vëmendjen e publikut nga ndarja klasore në rritje në Perëndim midis klasës tepër të arsimuar në universitete dhe klasës punëtore, anëtarët e të gjitha racave të së cilës kanë më shumë të përbashkëta me njëri-tjetrin sesa me anëtarët e elitës, kur bëhet fjalë për pagat, fuqinë punëtore, qasjen në sistemin arsimor dhe atë shëndetësor.
Dhe si do ta përshkruanit konfliktin midis dy klasave?
Nuk ka nevojë të jesh marksist për ta pranuar se shumica e asaj që është e koduar si “konflikt kulturor”, përfshin në fakt përplasje të interesave ekonomike midis klasës tepër të arsimuar dhe klasës punëtore. Një shembull është emigracioni. Emigrantët më pak të arsimuar dhe me paga të ulëta mirëpriten si shërbëtorë me kosto të lirë apo punonjës shërbimi nga elita, por shihen si konkurrentë për vendet e punës dhe në disa raste për programet e kufizuara të mirëqenies nga shumë pjesëtarë të klasës punëtore.
Ju e refuzoni pikëpamjen se kundërshtimi ndaj emigrimit ka të bëjë thjesht me racizmin ose etnocentrizmin, por ka një shkak ekonomik. Mund ta shpjegoni këtë?
Unë përdor termin “treg i ndarë i punës”, që u shpik nga sociologia Edna Bonaçik. Ai shfaqet sa herë që fuqia punëtore ndahet në dy grupe, njëri prej të cilëve është i gatshëm, për çfarëdolloj arsye, të punojë për paga më të ulëta dhe në kushte më të këqija sesa tjetri, duke i lejuar punëdhënësit t’i vendosin të dyja grupet kundër njëri-tjetrit, duke ulur pagat dhe standardet.
Shpeshherë ky fenomen merr formën e konkurrencës midis vendasve dhe emigrantëve, por grupe të ndryshme emigrantësh mund të konkurrojnë gjithashtu me njëri-tjetrin, si dhe punëtorët nga rajone të ndryshme brenda një vendi. Ata që promovojnë nivele më të larta të emigrimit përsërisin vazhdimisht pretendimin se emigrantët nuk pranojnë të paguhen pak dhe as të punësohen nga punëtorë të natyralizuar në SHBA dhe Evropën Perëndimore.
Kjo është e vërtetë në disa profesione.
Por ka shumë raste të shumë industrive në SHBA, duke filluar nga paketimi i mishit tek shërbimet shtëpiake e deri tek ndërtimi i shtëpive, në të cilat punëdhënësit e kanë përdorur qasjen tek fuqia punëtore emigrante për të zëvendësuar punët me paga të larta me paga të ulëta, duke e zbehur ndikimin e sindikatave.
Burimi: “New Statesman” – Bota.al