Ish-kandidati për kryetar në Partinë Demokratike, Fatbardh Kadilli ishte i ftuar në Ditarin e mbrëmjes në A2 CNN ku komentoi vendimin e fundit të grupimit të Enkelejd Alibeajt për të tërhequr ankimimin në Gjykatën e Apelit për bashkimin e dy kuvendeve.
Kadilli u shpreh se të dy kampet janë mbërthyer në një betejë për vulën dhe zyrën e PD, por që shqiptarët presin tjetër gjë nga opozita dhe pikërisht ofertën për të larguar qeverinë e Ramës, të cilën ajo nuk po e jep.
“Dy palët janë në një betejë juridike, por ndarja nuk është e tillë. Edhe nëse do të presim një vendim gjykate dhe do kemi një akt që i jep të drejtë njërës palë, ndarja do të jetë politike dhe PD do të jetë në dy kampe. Të dy kampet janë mbërthyer në betejën për vulën dhe selinë si fitore mbi njëri-tjetrin. Duke u marrë me vulën, zyrën, Kuvendin legjitim, të gjitha këto janë shpenzim energjish, ndarje e partisë dhe degradim i opozitës. Shqiptarë presin nga ne si do të largojmë këtë regjim”, tha Kadilli.
Më tej, Kadilli shtoi se në momentin që ndodhet PD e ka mbaruar cikli i saj politik. Sipas tij, duhet të propozohet një PD e rishpikur ose të pranohet fataliteti i saj.
“Që nga momenti që PD është ndarë në dy grupe dhe shpenzon energji, këtu kemi nënshkruar humbjen. Pushteti i Ramës është i qetë pasi nuk sfidohet nga loja jonë me kurthe ndaj njëri-tjetrit. E ardhmja nuk mund të kalojë nga e shkuara. Nuk mund të jetë e ardhmja Berisha. Edhe ata në Kryesi e dinë dhe ai vetë e di. Nuk mund të jetë ofertë as Basha. Duhet një projekt bashkues, që bazohet në vlera. Ne nuk duhet t’i flasim vetëm 50-60 vjeçarëve, por gjeneratës së re, sepse do të jenë ata që do të votojnë në vitet e ardhshme. PD e ka përmbushur misionin e saj fillestar shumë më herët sesa sot. Misioni i saj ishte ndryshimi i sistemit. Pati një ringritje në 2001-2005. Nga rënia në 2013, PD nuk e kupton që ka mbaruar cikli i saj politik siç është. Ose do të rishpiket ose do të degradojë. Kemi detyrimin ose të propozojmë një PD të rishpikur ose të pranojmë fatalitetin tonë”, përfundoi Kadilli.
/a.r