Një ngjarje e rëndë dhunë është filmuar në kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Petraq Milo, ish-këshilltar i presidentit të Shqipërisë dhe kandidat për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit, është dhunuar bashkë me familjen nga policët malazezë. Siç duket edhe nga pamjet e mëposhtme të siguruara nga JOQ, Milo është tërhequr zvarrë nga makina, me pretendimin se nuk kishte respektuar radhën.
Fillimisht nxirret Milo nga makina, e më pas mbështetet dhe përplaset pas një makine tjetër. Ndërsa radhën pas tij, e ka i biri, i cili gjithashtu përballet me dhunën e efektivëve malazezë në kufi. E gjithë skena lë të shokuar të gjithë personat e tjerë që po kalonin kufirin, të cilët gjithë kohës u kërkojnë efektivëve që të ndalojnë.
“Ua e shtriu. Ça po bëni more? Çfarë po bën more zotëri?,”-dëgjohet ndër të tjera në video.
Zbuloi dhe emri i policit që ka dhunuar këtë familje, teksa pretendojnë se efektivi në fjalë është Nikola Boljevic dhe gjithmonë ka pasur konflikte me shqiptarët. Ndërkohë, pavarësisht se pamjet janë bërë virale në rrjet, ende nuk ka asnjë reagim nga institucionet shqiptare, përveç kërkesës së llogarisë nga Partia Demokratike. E po ashtu, as nga ana e Policisë malazeze nuk ka asnjë shpjegim për dhunën e përdorur./m.j