Gjykata e Lartë ka zgjedhur zëvendësuesen e Vitore Tushës në Kushtetuese. Sipas njoftimit për publikun, në përfundim të procesit të votimit, rezultoi se kandidatja Holta Zaçaj mori 6 (gjashtë) vota dhe kandidatja Elsa Miha mori 6 (gjashtë) vota, ndërkohë që 3 (tre) vota u shpallën të pavlefshme.
Në zbatim të nenit 7/ç, pika 4, ku thuhet: “Për çdo vend vakant votohet për secilin nga kandidatët e renditur në tre vendet e para të listës. Kandidati që merr tri të pestat e votave të gjyqtarëve të pranishëm shpallet i zgjedhur. Nëse nuk arrihet shumica e nevojshme, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi konsiderohet i zgjedhur”, komisioni deklaroi fituese kandidaten Holta Zaçaj.
Në këto kushte, Mbledhja e Posaçme e gjyqtarëve vendosi që Holta Zaçaj zgjidhet anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
Ky vendim i njoftohet menjëherë, Kryetarit të Kuvendit, Presidentit të Republikës, Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe i dërgohet për botim Qendrës së Publikimeve Zyrtare.
/a.r