Një epokë e errët e historisë europiane, por edhe një mister që po shndërrohet në një gjueti thesaresh masive, ku si çmim mund të përfitohen xhevahire dhe flori me vlerë dhjetëra milionë eurosh.
Nuk është një skenar filmash, por pasoja e zbulimit, pas 75 vitesh, të një dokumenti të Luftës së Dytë Botërore, pikërisht një copë letre ku është vizatuar një hartë, që të çon në një fshat anonim të Holandës.
Një kryq në hartë sipas shumë kërkuesish thesaresh përfaqëson vendin ku disa ushtarë nazistë kanë varrosur disa kuti plot me sende të çmuara.
Sipas një ish-ushtari gjerman, Helmut S. i cili pohon se ishte ndër to, sendet i përkisnin një banke që u bombardua në ditët e fundit të vitit 1944, kur forcat hitleriane po largoheshin përfundimisht nga ajo zonë, dhe kishin filluar të plaçkitnin çfarë të mundeshin.
Sipas tij, ngarkesa u fsheh afër rrënjëve të një plepi, rreth 80 centimetra në thellësi, në afërsi të fshatit Ommeren. Pas luftës, disa kërkime nuk prodhuan asnjë rezultat, edhe për shkak të terrenit të ngrirë, dhe më pas gjithçka u harrua, në veçanti vendodhja.
Disa ditë më parë, Arkivat shtetërore holandeze kanë bërë publike mijëra dokumente të asaj epoke, dhe ndër to doli në pah edhe harta misterioze, e vizatuar me shumë mundësi nga një prej ushtarëve gjerman.
Janë shumë amatorët të pajisur me kopje të hartës tashmë publike, lopata dhe në disa raste edhe detektorë metalesh që i janë afruar zonës me shpresë për të bërë zbulimin që do t’i ndryshonte jetën.
Historianët janë skeptike. Sipas tyre, edhe në qoftë se ai thesar të ndodhej aty ku thotë harta, ai mund të jetë zbuluar qysh në atë kohë, pas bombardimeve të shumta aleate që nuk lanë pëllëmbë tokë në vend.
/a.r