Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka përmendur sakrificat dhe sfidat që kanë kaluar efektivët. Në fjalën e tij me rastin e 110-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, u shpreh se punonjësit e Policisë sot nuk gjenden përballë krimit, të vetëm me uniformën dhe me armën e shërbimit pasi kanë pajisjet e teknologjisë bashkëkohore që i bën më profesionistë.
Me premtimin se do të vijojnë me përkushtim që të rrisin cilësinë e shërbimit, Rrumbullaku e mbylli me një fragment nga Himni i Flamurit, “Shqipëria do të rrojë; Për të, për të, luftojmë ne!…”
Pjesë nga fjala e Rrumbullakut
Puna, sakrificat, sfidat me të cilat jemi përballur, arritjet edhe disfatat në ndonjë rast, së bashku kanë shkruar historinë që e themeluan paraardhësit tanë në vitin 1913 dhe e zhvilluan gjenerata të tëra, deri në ditët e sotme. 13 janari është një datë e artë, e shënjuar përjetësisht në historinë e Shqipërisë, në memorien e kombit dhe në memorien e çdo qytetari që ka ndërtuar jetën, familjen dhe pronën, nën hijen e shtetit amë.
Policia e Shtetit është një nga arteriet kryesore dhe më thelbësore të ndërtimit dhe të funksionimit të shtetit të pavarur shqiptar. Këtë rol, Policia e Shtetit e ka përfaqësuar e vijon ta përfaqësojë denjësisht, falë përkushtimit dhe sakrificës së mijëra burrave e grave, djemve e vajzave, të cilët brez pas brezi kanë dhënë më të mirën e tyre, për vendin dhe për shoqërinë.
Historia e shtetit shqiptar është e lidhur ngushtësisht me historinë e Policisë. Para pak kohësh, Shqipëria festoi 110-vjetorin e pavarësisë dhe sot është pikërisht Policia e Shtetit, institucioni i parë i formuar pas shpalljes së pavarësisë dhe themelimit të shtetit të pavarur shqiptar, i cili kremton 110-vjetorin e themelimit të tij. Ky fakt nuk mund të jetë rastësor. Ky fakt tregon rolin e rëndësishëm që ka luajtur dhe luan ky institucion për vetë ekzistencën dhe sigurinë e shtetit shqiptar.
Familja e Policisë së Shtetit, fryma, vlera dhe kontributi i saj i japin dimensione të jashtëzakonshme dhe krejt të veçanta, Shqipërisë, kohës dhe misionit të Policisë së Shtetit.
Për të rinjtë tanë, për fëmijët e dëshmorëve tanë, për fëmijët që mbajnë për dore efektivët e Policisë Rrugore apo të Patrullës së Përgjithshme, mëngjeseve të shkollës, 110 vjet janë vështirë të imagjinueshëm, janë një pikë e pajetuar në kohë, e cila e bën Policinë e Shtetit, në sy të tyre, një testament të lashtë, një garanci me të cilën ata kanë lindur, një fakt përgjithmonë të mirëqenë, të cilin e kanë në nënvetëdijen e tyre kudo dhe kurdo.
Për veteranët e Policisë së Shtetit, për shumë e shumë të tjerë të cilët për dekada, kanë kryer detyra të ndryshme, në struktura të ndryshme, në qarqe të ndryshme, 110 vjet janë mijëra jetë, secila e rrezikuar përballë krimit, secila e sakrifikuar me orë larg familjarëve, secila e jetuar me qytetarët e komunitetit ku i ka thirrur misioni, secila e shenjuar me ngjarje, raste dhe njerëz me impakt për të tjerët dhe secila e gatshme për t’u jetuar e rijetuar sërish, si pjesë e Policisë së Shtetit.
Në çdo fragment të rrjedhës së historisë, Policia e Shtetit ka qenë burim sigurie dhe besimi për qytetarët dhe në emër të këtij ideali, janë sakrifikuar shumë nga radhët e saj. Martirët e Policisë së Shtetit kanë gjakun e tyre, në ngjyrën e flamurit kombëtar dhe ky është një motiv i fortë, pse Policia e Shtetit është sot më e angazhuar se kurrë, për ta ruajtur të denjë simbolin e lartë kombëtar. Për Dëshmorët e Policisë së Shtetit, 110 vjet janë epitafe, çmimi i jetës së tyre, drita e prehjes që ndriçon kolegët në majat e thepisura, në shtratet e sipërfaqeve ujore, në rrugët e vendit dhe në skajet e tij.
Fati më përzgjodhi mua që ta përshëndes këtë datë jubile, dhe në të njëjtën kohë, të kem mundësinë të vlerësoj dhe të përulem me nderim, para punës dhe përkushtimit të të gjithë atyre që e kanë mbajtur dhe që e mbajnë veshur uniformën e Policisë së Shtetit, si edhe para atyre që në periudha të ndryshme dhe në ato më të vështirat, mbajtën stafetën e drejtimit të Policisë së Shtetit, duke i dhënë vlerat më qëndrestare këtij institucioni. Për mua si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, 110 vjet janë pesha më e rëndë dhe privilegji më i madh i jetës sime. Të jesh në krye të Policisë së Shtetit sot, kur shumë është bërë dhe shumë më shumë do të bëhet, i jep çdo dite pune, vlerën e 110 vjetëve.
Po aq sa koha, për ne është koncept abstrakt edhe festa, prandaj pak prej nesh kam kënaqësinë të kem sot përballë, mijëra të tjerë janë në këto momente, të shpërndarë në çdo skaj të Shqipërisë, në përballje me krimin dhe duke u shërbyer qytetarëve, pasi sot e 110 vjet, qytetari ka qenë dhe mbetet esenca, thelbi dhe motivi i Policisë së Shtetit.
Sot është një ditë feste, përzier me reflektim, ndjenjë të lartë përgjegjshmërie dhe përulje të thellë. Nxënës shembullorë të mësimeve të së shkuarës, luftëtarë të së tashmes dhe gjithmonë e më të denjë drejt së ardhmes, kremtojmë këtë 110-vjetor, kryelartë përballë qytetarëve tanë, të cilët sot më shumë se kurrë, kanë duar profesionistësh, duar miqsh dhe duar bashkëpunëtorësh, me uniformë policie, të shtrira për t’u ardhur në ndihmë kudo dhe kurdo.
Punonjësit e Policisë sot nuk gjenden përballë krimit, të vetëm me uniformën dhe me armën e shërbimit. Pajisjet e teknologjisë bashkëkohore, çelja e një epoke të re për bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe filozofia e kontaktit të drejtpërdrejtë me problematikën e qytetarit, bëjnë që 13 janari i vitit 2023 të na gjejë shumë herë më të sigurtë, më të mbrojtur, më efecientë dhe më profesionistë.
Ne zotohemi përballë qytetarëve tanë se puna e Policisë së Shtetit do të vijojë të mbetet thellësisht e pranishme dhe fisnike, në jetët e shqiptarëve, si dhe se do të jetë në koherencë të plotë me hapat e ndryshimit të përditshëm të shoqërisë sonë. Brezat e rinj të Policisë së Shtetit me përgjegjshmërinë dhe atdhedashurinë që i karakterizojnë, do të vijojnë të lënë gjurmë në historinë e Policisë së Shtetit, e cila shtrihet tashmë në 2 shekuj. Kjo armatë e re profesionistësh dhe të përkushtuarish, do të kontribuojnë për përmirësimin e imazhit të Policisë së Shtetit dhe për rritjen e cilësisë së shërbimit, për qytetarët që besojnë në punën e Policisë dhe e mbështetin atë, të sigurtë se kjo është mënyra e vetme, për t’i dhënë këtij vendi, stabilitetin dhe integritetin që meriton të ketë.
/e.d