8 vite pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndarja në mes veriut të Mitrovicës dhe jugut përveç aspektit politik dhe të sigurisë mbetet e thellë edhe në aspektin ekonomik dhe social.
Derisa për jugun e Mitrovicës buxhet ndan vetëm Qeveria e Kosovës, për veriun e këtij qyteti, bashkë me tre komunat tjera në veri, buxhet ndan Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë, të ardhurat që grumbullohen nga pikat doganore 1 dhe 31, si dhe miliona euro të ndara si grante nga Bashkimi Evropian. Edhe pse gjendja e sigurisë dy vitet e fundit ka qenë më e lart, Policia dhe Dogana e Kosovës, vazhdojnë të kenë kujdes të shtuar në atë zonë.
KFOR-i është ai që po mban nën kontroll dy pikat kufitare dhe se ka marrë në përgjegjësi komandimin në këto pika. Kurse Policia e Kosovës dhe doganierët janë të pranishëm në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak.
Sipas Doganave të Kosovës në këto dy pika doganore dy vitet e fundit importi i mallrave arrin shumën afër 8 milion euro. Përkundër kësaj serbët e asaj ane së bashku me shqiptarët e jugut vazhdojnë të kontrabandojnë mallra në rrugët dytësore, të cilat edhe i kanë asfaltuar. Këto kompani tregtojnë-kontrabandojnë mallra si: kryesisht pije alkoolike, të gazuara dhe jo-alkoolike, por edhe mallra ushqimore.