Në 30-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Ukrainës, vendi ynë do të hapë ambasadën në Kiev. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama, me anë të një postimi në rrjetet sociale.
“30 vjet marrëdhënie diplomatike! Në këtë vit jubilar Shqipëria do të hapë ambasadën e saj në Kiev, Ukrainë”, shkruan Rama.
Në lidhje me hapjen e ambasadës shqiptare në Ukrainë ka reaguar sot dhe Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila tha se dy vendet tona ndodhen në krahun e duhur të historisë.
“Shqipëria dhe Ukraina i përkasin familjes së kombeve të lira dhe demokratike dhe të dyja kanë një të ardhme në familjen Euro-Atlantike.
Me rastin e këtij 30-vjetori, jam e lumtur të njoftoj se Shqipëria do të rrisë nivelin e saj të përfaqësimit në Kiev duke hapur ambasadën e saj në Ukrainë.
Pres me kënaqësi vijimin e bashkëpunimit me mikun dhe kolegun tim Dmytro Kuleba për të avancuar dhe forcuar bashkëpunimin tonë edhe më tej në të ardhmen”, shkruan Xhacka./m.j