Nga Ben Andoni
“Nëntori”, ekspozita e një grupi shumë të njohur piktorësh, pak ditë më parë mbylli siparin e vet në Dhjetor. Pa shumë bujë, por me mrekullinë e plotësimit të plot 25 ekspozitave rresht në vite, që e ndryshuan vendin e ekspozimit nga Galeria Te&Gi dhe shumë pak te Galeria Kombëtare, Muzeu Kombëtar disi e pak më shpesh dhe vitet e fundit tek FAB. Ekspozitës i kanë humbur dy nga krijuesit e saj: Llambi Blido për shkak të gjendjes aspak të mirë fizike në vitet e fundit; dhe e dyta e Besim Tules, njeriut që e frymoi dhe e menaxhoi për vite të tëra në rrotacion me kolegët e tij. Në fakt, i treti, Stefos (Stefan Taçi) është jo thjesht një nga organizatorët por edhe artisti i njohur që jo vetëm i mbijetoi por edhe ka kontributin që për 25 vite me radhë është përfaqësuar me një punë të re dhe ka ndihur pa zhurmë ekzistencën e këtij grupimi. Ekspozimi me punë të re ka qenë edhe qëllimi kryesor i këtij aktiviteti, që duhet thënë se në vitet e fundit nuk është respektuar shumë nga rishtarët, që ata kanë afruar.
Përpjekja e kësaj trioje vërtetë shumë intelektuale ishte një kundërpërgjigje për pikturën që bëhej asaj kohe në mesin e viteve ‘90 dhe që e trajtonte si të tejshkuar peshën e pikturës së kavaletit.
Një ekspozitë pa sens kuratorial sepse ideja e këtij grupimi është të përshfaqen me krijimet e tyre më përfaqësuese, por edhe të mos diktohen nën peshën e një ideje fikse. Ata janë të lirë të perceptojnë mjedisin ku jetojnë, kushtet sociale dhe pozicionet e tyre politike, sipas këndvështrimeve të tyre, të padiktuar nga askush. Një formë shemrie me “Onufrin” ndërkombëtar që tashmë ka humbur dhe pothuaj është harruar.
Në vitet e fundit një meritë e madhe e ekzistencës së “Nëntorit” ka qenë e Aleksandër Filipit, i cili jo thjesht ka organizuar por edhe ka mbajtur mbi shpinën e vet të gjithë peshën e madhe të një organizimi të tillë, që duket se i merr mundim, që kërkon ngulmim për të duruar gjatë ditëve të ekspozimit dhe mbi të gjitha inkurajim. Filipi i dhënë shumë pas temave filozofike mundohet që t’i japë shumë peshë në punët e tij pjesës filozofike duke i dhënë shumë përmasë ekzistenciale individit të sotëm.
Përveç artistëve të sipërpërmendur duhet të kujtojmë se fillimi tek Te & Gi do mbante emrat e pak artistëve, por numri i tyre erdhi duke u rritur nga viti në vit. Emrat e mëdhenj të Abdurrahim Buzës, Sadik Kacelit, Pandi Meles, Isuf Sulovarit, Ismail Lulanit, Niko Progrit, Agim Zajmit, Vilson Kilicës, Ksenofon Dilos, Sali Shijakut, Zef Shoshit, Kujtim Buzës etj., ishin besnikë dhe pjesëtarë ndër vite të ekspozitave “Nëntori”.
Sot, syresh, nuk janë mes nesh, por lanë peshën e seriozitetit dhe mbi të gjitha angazhimit. E veçanta përshembull e këtij viti e peisazhistit Kujtim Buza ishte një motiv i veçantë gjeli, që e has edhe në punë të tjera të tij por trajtuar teknikisht dhe në formë pikturike krejt tjetër shumë interesante. Zef Shoshi me frymën e tij të zakonshme të portreteve për vite; ashtu si Stefos me një paraqitje reale të gjithë shqetësimeve të 2022 zbërthyer me një simbolikë tejet komplekse, për të cilën duhej thënë se ruajti frymën e punës premierë. Devolli me një paraqitje peizazhi dhe individësh, ku shikon frymën ekzistenciale pikturuar me shumë sens, ashtu si Veveçka solli një sens tjetër të punës së saj me të gjithë shqetësimet e viteve të fundit. Gazmend Leka solli një abstragim të kohëve me temat e tij ku filozofikja përball format jetësore të njeriut të sotëm në ekzistencializmin e njeriut të shekullit të ri. Ivanaj me forcën e tij të skrupulozitetit në pikturën e portretit kishte sjellë një letrar të njohur e kështu me radhë një aradhë e tërë artistësh, që duhet thënë se sfidën më të madhe këtej e tutje do ta kenë me zgjatjen e jetës së këtij aktiviteti, që përbën risi për jetën kulturore të vendit.
Për të ardhur keq, ashtu si në vite të tjera, mungesa dhe mos shprehja e kritikëve të artit dhe njerëzve, që duhet ta dokumentojnë artistikisht për vlerat që ajo përmban. Apo e kundërta, nëse kanë ndonjë gjykim ndryshe për të dhe që në fakt mund t’i ndihë ata. Një tregues i përçarjes jo të pakët të artit shqiptar por edhe i mungesës së kurajës për të thënë diçka për kolegët, një pjesë profesorët e tyre si edhe e shumë individëve, që kanë histori në artin tonë.
Mbase ky qëndrim mund të evoluojë me kalimin e kohës, por rëndësi ka që “Nëntori” mbushi plot 25 vjet. Një çerek shekulli për të treguar se artistët pjesëmarrës si Adrian Devolli, Agron Mesi, Aleksandër Filipi, Anastas Konstandini, Andi Hila, Ardit Boriçi, Artan Buca, Bashkim Dervishi, Brikena Bërdo, Buron Kaceli, Dea Tili, Denisa Brahimi, Eniela Veveçka, Erina Dibra, Fatmir Juka, Gazmend Leka, Hasan Çapari, Ksenofon Dilo, Kujtim Buza, Llazar Taçi, Merita Selimi, Meri File, Nikolin Ivanaj, Orlis Vathi, Pëllumb Bylyku, Pandeli Lena, Robert Guci, Stefan Taçi (Stefos), Shpëtim Kërçova, Zef Shoshi e të tjerë mëtojnë se do ta vazhdojnë rrugëtimin e tyre.