SPAK i komunikoi këtë të martë akuzën ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediut, për rolin e tij në tragjedinë e Gërdecit, produkt i një afere korruptive të familjes së Sali Berishës, ku humbën janë 26 persona dhe u plagosën me dhjetëra të tjerë. Fatmir Mediu ka nisur mbrojtjen, për t’i shpëtuar ndëshkimit ligjor, në dy linja: Në atë procedurale dhe me faktin penal. Nuk do ndalemi tek ekzistenca apo jo e faktit penal, pasi për përgjegjësinë ose jo të Mediut do të flasë gjykata. Por, do sjellim disa fakte dhe rrethana informuese sa i takon anës procedurale.
Ish-ministri Fatmir Mediu pretendon se vepra penale për të cilën akuzohet është parashkruar, pasi ka kaluar një kohë e gjatë, rreth 15 vite (mars 2008) nga vepra penale për të cilën akuzohet si dhe çështja sipas tij është gjykuar një herë në shtator të vitit 2009 nga Gjykata e Lartë, e cila pushoi çështjen falë një manovra procedurale. Ky është pretendimi kryesor i Fatmir Mediut dhe avokatëve të tij.
SPAK akuzon dy herë Fatmir Mediun për shpërdorim detyre sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak. Për shpërdorimin e detyrës sipas Kodit Penal parashikohet deri në 7 vite burg. Për shpërdorimin e detyrës sipas Kodit Penal Ushtarak parashikohet deri në 8 vite burg.
Kur SPAK-u, në 5 maj 2021, i kërkoi Gjykatës së Posaçme zhbërjen e vendimit nr. 6 të Gjykatës së Lartë të datës 14 shtator 2009 që pushoi çështjen për Fatmir Mediun, ky i fundit e kundërshtoi me argumentin se vepra penale është parashkruar dhe çështja është gjykuar një herë. Në 27 korrik 2021, gjyqtari Erjon Çela rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për rihapjen e çështjes, duke konfirmuar pretendimet e Mediut. Argumenti themelor i gjyqtarit ishte se, pse Prokuroria, nga viti 2012, kur deputetëve u është hequr imuniteti nga ndjekja penale, nuk kërkoi vijimin e procedimit të Fatmir Mediun për dosjen e Gërdecit, por u kujtua pas 9 vitesh, kur edhe vepra penale për të cilën akuzohet Mediu (shpërdorim detyre) është parashkruar.
Afati i ndjekjes penale kishte nisur në 15 mars 2008, ditën e shpërthimit. Mediu mund të ndiqej penalisht deri në 15 mars 2018, pra për 10 vite. Pas këtij afati, vepra është parashkruar sipas gjyqtarit. Por, Gjykata e Posaçme e Apelit, në shtator 2021, e rrëzoi vendimin e Erjon Çelës, duke i dhënë të drejtë SPAK-ut të niste hetimet për rolin e Fatmir Mediut në Gërdec. Gjykata e Apelit e hodhi poshtë arsyetimin e Erjon Çelës, me argumentin se ndjekja penale ndaj Mediu kishte nisur që në 11 shkurt 2009 dhe jo në vitin 2021, pasi kishin kaluar më shumë se sa 10 vjet, gati 13 vite. Sipas Gjykatës së Apelit, ndjekja penale ndaj Fatmir Mediut nuk është shuar, pasi Mediu është marrë i pandehur që në vitin 2009.
Sipas Apelit, pushimi i çështje në shtator 2009 nga Gjykata e Lartë, nuk është një vendim dënimi dhe as fajësie. Pezullimi i gjykimit, sipas Apelit, nuk përfshihet tek parashkrimi. Gjykata e vlerëson procesin ndaj Mediut, si një proces në vazhdim, që nga 2009, pa një vendim për fajësinë apo pafajësinë.
“Në analizim të veprimeve fakt-formuese të veprave penale, ashtu siç edhe gjyqtari i seancës paraprake, edhe kjo gjykatë çmon se afati nga i cili fillon llogaritja është dita e ardhjes pasojës nga veprat penale, 15.3.2008. Ndërsa dita kur është ndërprerë afati i parashkrimit, është dita në të cilën Z. Mediu është marrë si i pandehur me njoftimin e aktit të akuzës, pra ushtrimin e ndjekjes penale, më datë 11.2.2009. Në përllogaritje aritmetikore të ditës nga i cili nis afati i parashkrimit me ditën kur Z. Mediu është marrë i pandehur, kaluan 10 muaj e 26 ditë. Përballur kohën prej 10 muaj e 26 ditë me afatin 10 vjet të kërkuar nga shkronja c) e nenit 66 të Kodit Penal si kohë e maturuar për shuarjen e veprës penale me parashkrim, ictu ioculi shikohet se e tillë kohë nuk ka kaluar. Pra, e interpretuar në kuptim literal dispozita e nenit 66 të Kodit Penal, dispozitë e cila për rastin konkret, në mënyrë eksplicite parashikon se, nuk mund të bëhen ndjekje penale, kur nga kryerja e veprës deri në çastin e marrjes së personit si të pandehur kanë kaluar: dhjetë vjet për krimet që parashikojnë dënim nga pesë gjer në dhjetë vjet burgim, ndjekja penale ndaj z. Fatmir Mediu nuk është shuar, pasi brenda afatit kohor 10 vjeçar, nga kryerja e veprës penale ai mori cilësinë e të pandehurit në gjykimin penal të ngritur përkundrejt tij”, arsyeton gjykata.
Sipas Gjykatës së Apelit, afati i parashkrimit është ndërprerë që në momentin që Fatmir Mediu është marrë i pandehur në 11 shkurt 2009.
“E thënë me terma më shpjegues, në lidhje me ndërprerjen e parashkrimit penal në mënyrë implicite neni 66 i KPP, parashikon se kur ndjekja penale ushtrohet brenda afatit 10 vjeçar. I tillë afat i parashkrimit ndërpritet sepse personi është marrë i pandehur. Në lidhje me efektet e ndërprerjes së afatit të parashkrimit, parashikohet në mënyrë implicite në nenin 66 të Kodit Penal, se në rast të ndjekjes penale brenda afatit të parashkrimit, afati ndërpritet, në kuptimin që koha, e cila ka kaluar nga momenti i kryerjes së veprës penale deri në momentin që është marrë personi i pandehur, nuk llogaritet me, pasi marrja si i pande personit është një akt procedural që vetë ligjvënësi në nenin 66 të Kodit Penal e shikon si akt/veprim i ndërprerjes së parashkrimit”.
Gjykata thekon se edhe sikur afati i parashkrimit të mos i shte ndërprerë, ky afat do të niste në 26 tetor 2012, kur është hequr imuniteti për të gjithë zyrtarët e lartë nga ndjekja penale. Vendimi i Apelit u ankimua nga Fatmir Mediu në Gjykatën e Lartë. Gjykata e Lartë, me vendim të datës 21 dhjetor 2021, la në fuqi vendimin e Apelit, që i hapte rrugë SPAK të hetonte Fatmir Mediun. Tre vendimet e gjykatave konsistojnë vetëm tek procedura, ku përfshihet edhe parashkrimi.
Në këto rrethana, pretendimet për parashkrimin dhe gjënë e gjykuar, kanë marrë një herë përgjigje nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë, duke i hedhur poshtë si pretendime. Kur SPAK të referojë dosjen në Gjykatën e Posaçme, gjyqtari paraprak nuk mund të shqyrtojë më çështjen e parashkrimit ose jo, pasi kjo çështje është zgjidhur. Vepra penale për të cilën akuzohet Fatmir Mediut nuk është parashkruar sipas Gjykatës së Apelit, konfirmuar nga Gjykata e Lartë./shqiptarja.com