Nga Artur Ajazi
E ndërsa Partia Demokratike po merret me paratë e gjetura në tuba sobash dhe dysheqe krevatesh, duket se oligarkët e saj, po vazhdojnë qetë-qetë bizneset dhe shtojnë fitimet vit pas viti. E ndërsa Berisha, ka nge të merret me “korrupsionin” nga ish-zyrtarët dhe ish-drejtueset e institucioneve të larguar dhe penalizuar nga kryeministri Rama për shkelje ligjore dhe abuzime, duket se “pilotët” e tij po vazhdojnë me sukses të bëjnë biznes, të fitojnë tendera, të ndërtojnë dhe shtojnë “katet” e milionave.Kjo natyrisht, është tanimë nën fokusin e organeve kompetente të një drejtësie të re. Oligarkët e Partisë Demokratike dhe Sali Berishës, për asnjë moment prej 2013, nuk e kanë ndërprerë punën, biznesin, për asnjë moment nuk kanë pushuar dhe nuk kanë mbetur pa punë. Ata kanë marrë leje ndërtimi, kanë ndërtuar, kanë marrë tendera dhe kanë rritur fitimet. Atëhere, për cilët “oligarkë” flet ish-lideri historik ? Për ata që kanë 32 vjet që mbajnë me para partinë dhe mbushin me miliona kontot bankare të klanit drejtues të Partisë Demokratike, apo për ata që punojnë ndershmërisht dhe sulmohen pabesisht nga ai ? Vetëm në 10 vitet e fundit, oligarkia e Partisë Demokratike (edhe pse gjoja në opozitë) ka arritur të marrë në 144 raste tendera të majmë, dhe mbi 118 leje ndërtimi pallatesh, vilash, resortesh dhe fshatrash turistike në zona bregdetare dhe malore. Dhe këto janë veçse “maja e Ajsbergut”.
Atëhere për cilët “oligarkë të Ramës” e ka fjalën Berisha pasi rezulton se shumica kanë qenë dhe janë mbështetës të tij ? Sulmet ndaj biznesit të ndershëm, ndaj firmave dhe kompanive ndërtuese dhe prodhuese, mbetet skenari më i turpshëm, nga një parti që ka 32 vjet që shfrytëzon dhe diskriminon biznesin e ligjshëm dhe korrekt, dhe mbron firmat dhe kompanitë e saj. Populli thotë “ujku, ujku, por çakalli po bën kërrdinë”. Duke akuzuar qeverisjen e Edi Ramës, dhe duke u kapur fort pas ndonjë arrestimi që nuk ka lidhje fare me kryeministrin, pasi përgjegjësia mbetet personale dhe jo partiake dhe politike, Sali Berisha kërkon tu bëjë propogandë bajate shqiptarëve se gjoja “unë dhe PD jemi të pastër si kristali”.
Ato ç’ka ka bërë dikur, por dhe vazhdon të bëjë Partia Demokratike sot me propogandën e saj qesharake, kanë nxjerrë zbuluar burimet e financimit të asaj force politike. Shqiptarët e shohin çdo ditë në lagjet dhe qytetet e tyre, se si oligarkët e Partisë Demokratike punojnë, ndërtojnë, dhe pasurohen me para investimesh dhe tenderash, edhe pse Berisha thotë se “Rama diskriminon biznesmenët e djathtë si kundërshtarë politikë”.
Sikur Edi Rama të kishte kohë të merrej edhe me gërvërret e Berishës, apo dhe përkatësinë politike të oligarkëve, ky vend do të kishte mbetur akoma me kioska buzë Lanës. Partia Demokratike, mbetet forca e vetme politike që ka një prapavijë të fuqishme financiare të padukshme, ndaj mbetet detyrë e SPAK, të hetojë jo vetëm majtas, por edhe djathas, sepse do të zbulojë ndoshta miliona të paligjshme në “oxhaqe” vilash dhe pallatesh luksoze.