Qeveria shqiptare i ka akorduar një fond prej 70 milion lekësh të rinj Federatës Shqiptare të Futbollit për mbështetjen e ekipit kombëtar.
Ndër të tjera në këtë vendim të Këshillit të Ministrave thuhet se, FSHF, brenda këtij muajit duhet të paraqesë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit planin e detajuar dhe të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e FSHF-së të veprimtarisë për të cilën do të përdoret ky fond.
Ndërkohë, Ministria e Arsimit dhe Sportit do të caktojë një grup pune për mbikëqyrjen e realizimit të mbështetjes financiare të ekipit kombëtar të futbollit.
“Nr. 894, datë 27.12.2022 PËR FINANCIMIN E FEDERATËS SHQIPTARE TË FUTBOLLIT, PËR MBËSHTETJEN E EKIPIT KOMBËTAR TË FUTBOLLIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 13, të ligjit nr. 79/2017, “Për sportin”, të ndryshuar, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr. 115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Financimin, në masën 70 000 000 (shtatëdhjetë milionë) lekë, për financimin e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), për mbështetjen e ekipit kombëtar të futbollit.
2. Fondi i përcaktuar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, transferohet në llogarinë e FSHF-së, në bankën e nivelit të dytë/ “Union Bank” sh.a., me numër llogarie 111141628020115, dhe përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2022, për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, përkatësisht, në llogarinë ekonomike 604 “Transferta të brendshme”, në programin buxhetor 08140 “Zhvillimi i sportit”.
3. FSHF-ja, brenda muajit janar 2023, të paraqesë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit planin e detajuar dhe të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e FSHF-së të veprimtarisë për të cilën do të përdoret ky fond.
4. Ministria e Arsimit dhe Sportit cakton një grup pune për mbikëqyrjen e realizimit të mbështetjes financiare të ekipit kombëtar të futbollit. Përbërja dhe detyrat e grupit të punës përcaktohen me urdhër të ministrit të Arsimit dhe Sportit.
5. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Federata Shqiptare e Futbollit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTËR Edi Rama”
VENDIMI I KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Kujtojmë se ditën e djeshme në ambientet e FSHF-së u prezantua ekipi i ri drejtues i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, trajneri i ri Sylvio Mendes Campos Júnior, i njohur si Sylvinho dhe zëvendëstrajneri i ri, argjentinasi Zabaleta.
Në konferencën e djeshme të prezantimit, kreu i FSHF bëri me dije se një ditë më parë, dy drejtuesit e rinj të kombëtares kishin bërë një takim me Kryeministrin Rama.
Sipas Dukës, ky takim erdhi për t’i treguar kreut të qeverisë se, Kombëtarja është më shumë se sa futbolli në Shqipëri.
/a.r