I përlotur dhe i vetëm, teksa ecën i pangushëlluar drejt tunelit që të çon në dhomat e zhveshjes. Ky imazh i fundit i Cristiano Ronaldos me fanellën e Portugalisë vjen direkt nga Katari dhe daton pak çaste pas nokautit të papritur të Portugalisë kundër Marokut.
Më pak se një muaj para ditëlindjes së tij të 38-të, lajmet për lëvizjen e CR7 tek Al-Nassr dukej se e shtynë gjithnjë e më larg vijimit me kombëtaren. Por jo. “Cristiano ka 19 vite këtu dhe meriton respekt”. Kjo fjali e Roberto Martinezit, trajnerit të ri të Portugalisë, thotë vërtet shumë.
Ish-trajneri i Belgjikës, menjëherë pasi i dha fund aventurës me “Djajtë e Kuq”, në fakt u zgjodh nga federata portugeze si pasardhës i Fernando Santos. I prezantuar dje në konferencën për shtyp, Martinez ishte i qartë:
“Fusha e ka fjalën e fundit, vendimet nuk merren në zyrë. Do të nis nga skuadra e fundit e Botërorit dhe Cristiano Ronaldo është një prej tyre. Duke filluar nga nesër, do të ulem dhe do të flas me të gjithë”.
Ndërsa Cristiano ka nënshkruar tashmë një kontratë si “ambasador” me Arabinë Saudite, Martinez ka bërë të ditur se është në kërkim të një ish-lojtari të kombëtares për t’iu bashkuar stafit të tij: “Nga nesër nisim punën në funksion të Kampionatit Evropian.
Për sa iu përket bashkëpunëtorëve të mi, tashmë i kam idetë mjaft të qarta. Megjithatë, do të doja edhe një asistent portugez, ndoshta një ish-lojtar që mund të na ndihmojë të përshtatemi në mënyrën më të mirë të mundshme”.
/a.r