Bashkimi Europian reagoi pasi udhëheqësi serb i Bosnjës i dha të dielën presidentit rus Vladimir Putin medaljen më të lartë të nderit për “kujdesin dhe dashurinë e tij patriotike” për gjysmën e Bosnjës të kontrolluar nga serbët.
“Putini ka zhvilluar dhe forcuar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet politike dhe miqësore midis Republikës Srpska dhe Rusisë”, tha presidenti serb i Bosnjës, Milorad Dodik, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Banja Luka.
“Në Bashkimin Evropian nuk ka vend për nderimin dhe shpërblimin e politikanëve që urdhërojnë shkatërrimin e një vendi fqinj dhe vrasjen e popullit të tij. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë. Ky vendim i udhëheqjes së Republikës Srpska është i gabuar dhe për të ardhur keq”, tha zëdhënësi i BE-së në një konferencë për mediat, pasi u pyet nga gazetarët.
Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Dodik, i cili zhvilloi një takim me presidentin rus në shtator në Moskë, ka mbajtur lidhje të ngushta me zotin Putin pavarësisht luftës së Rusisë në Ukrainë. “Medalja do t’i dorëzohet presidentit Putin gjatë takimit të ardhshëm mes dy udhëheqësve”, tha ambasadori rus Igor Kalbukhov.
Moska është akuzuar shpesh nga Perëndimi se kërkon të destabilizojë Bosnjën dhe pjesën tjetër të Ballkanit nëpërmjet përfaqësuesve të saj në Serbi dhe Bosnjë.
Një marrëveshje paqeje e ndërmjetësuar nga SHBA në vitin 1995 i dha fund luftës në Bosnje që la të paktën 100,000 njerëz të vdekur dhe miliona të pastrehë, por e la vendin thellësisht të ndarë midis tre grupeve kryesore etnike.
Moska i ka shfrytëzuar ndasitë duke mbështetur në heshtje politikat separatiste të zotit Dodik. Ai e nderoi presidentin Putinin me rastin e “ditës së Republikës Srpska”, e cila është konsideruar e paligjshme nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës.
/a.r