Policia ka dalë me njoftim zyrtar për arrestimin e 35 vjeçarit, Antonio Leka i cili është kapur me arsenal armësh brenda makinës së tij në Lezhë. Sipas policisë, bëhet me dije se kanë qenë banorët ata që kanë lajmëruar oficerët se 35 vjeçari donte të kryente një krim dhe për këtë arsye ishte armatosur.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri pistoletë me 5 karikatorë, 1 automatik me 5 karikatorë, 550 fishekë luftarakë për pistoletën dhe automatikun, 1 palë dylbi, 1 antiplumb ushtarak, 1 thikë, 1 çantë ushtarake, 75 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe rroba kamuflazhi.
Njoftimi i policise:
Lezhë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Lavazhi”.
Parandalohet një ngjarje e rëndë kriminale.
Sekuestrohen arsenal armësh, municion luftarak, dylbi, antiplumb, helmetë, thikë, lëndë narkotike, rroba kamuflazhi ushtarake dhe sende të tjera.
Arrestohet në flagrancë 36-vjeçari që i mbante në automjet ndërkohë që qarkullonte në qytetin e Lezhës.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe nga familjarët e një 36-vjeçari që po qarkullonte në qytetin e Lezhës, me një automjet në të cilin mbante armë zjarri të llojeve të ndryshme, me të cilat kishte paralajmëruar se do kryente një krim të rëndë, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Lavazhi” duke angazhuar shërbime të shumta policie.
Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– A. L. 36 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Përgatitja e kushteve për vrasje”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri pistoletë me 5 karikatorë, 1 automatik me 5 karikatorë, 550 fishekë luftarakë për pistoletën dhe automatikun, 1 palë dylbi, 1 antiplumb ushtarak, 1 thikë, 1 çantë ushtarake, 75 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe rroba kamuflazhi.
Për shkak të sekretit hetimor, duke qenë se ngjarja është në hetim, nuk jepen detaje të tjera në lidhje me motivet dhe objektivin e synuar nga i arrestuari.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme procedurale./m.j