Drejtori i qelive të paraburgimit, Predrag Spasojeviç, shtëpia e të cilit u vu në shënjestër të bombave këto ditë, i ka bërë një paralajmërim të fortë presidentit të Malit të Zi, të cilit i tha se do të përgatiste qelinë e tij.
“Unë dhe ai jemi miq të vjetër dhe ndoshta është faji i tij që nuk funksionoi. Patjetër që e pres në zyrën time. Dhe shumë shpejt, në dashtë Zoti. Dhe ai e di këtë dhe është faji i tij që kjo nuk funksionoi. Kjo është arsyeja pse ai nuk foli. Unë do ta përgatis shumë mirë qelinë e tij kur të vijë ai. Ai është dy metra i gjatë, por do të gjejmë një shtrat më të gjatë, nuk ka problem,”-tha Spasojeviç.
Spasojeviç ka akuzuar presidentin se fshihet pas bombave që i janë hedhur në banesë. Po ashtu, ai akuzoi policinë dhe prokurorinë se nuk po bënin punën e tyre, duke thënë se para një muaji ka denoncuar edhe kërcënime me vdekje por askush nuk e ka thirrur për të dhënë deklaratë. Nga Drejtoria e Burgjeve akuzuan grupet e organizuara kriminale se po përpiqeshin t’i pengonin ata të rivendosnin rendin në burg./m.j