Ukraina hodhi poshtë armëpushimin prej 36-orësh të ofruar nga presidenti rus Vladimir Putin për të kremtuar Krishtlindjen Ortodokse, duke nënvizuar se armëpushim nuk do të ketë derisa Rusia të tërheqë forcat e saj pushtuese.
Kremlini tha se Putin kishte urdhëruar një armëpushim nga mesdita e së premtes pas thirrjes për një armëpushim Krishtlindjesh nga Patriarku Kirill i Moskës, kreu i Kishës Ortodokse Ruse.
“Duke marrë parasysh thirrjen e Shenjtërisë së Tij Patriarkut Kirill, udhëzoj Ministrin e Mbrojtjes të Federatës Ruse që të vendosë një regjim armëpushimi përgjatë gjithë linjës së kontaktit të palëve, tha Putin në urdhër.
Por këshilltari presidencial ukrainas, Mikhailo Podolyak, tha në Tëitter se Rusia duhet të largohet nga të gjitha territoret e pushtuara dhe vetëm atëherë do të ketë një “armëpushim të përkohshëm”. “Mbani hipokrizinë për veten tuaj,” tha ai.
Në një linjë edhe reagimet nga qytetarët në Kiev.
“Kjo është një shaka joqesharake. Në historinë e vendit tonë u kemi besuar kaq shumë herë Moskalëve. Tani thjesht nuk mund t’u besojmë më”.
Sipas autoriteteve të Ukrainës çdo thirrje ruse për armëpushim është përpjekje e Moskës për të siguruar njëfarë pushimi për trupat.
Kisha Ortodokse e Rusisë kremton Krishtlindjen më 7 Janar. Kisha kryesore ortodokse e Ukrainës ka refuzuar autoritetin e patriarkut të Moskës dhe shumë besimtarë ukrainas kanë ndryshuar kalendarin e tyre duke e festuar Krishtlindjen më 25 Dhjetor si në Perëndim.
Më herët të enjten, Rusia dhe Ukraina bënë të qartë se nuk do të ketë bisedime paqeje mes tyre, duke refuzuar në mënyrë të prerë ndërmjetësimin e presidentit të Turqisë, Tayip Erdogan.
Në front, luftimet më të mëdha po zhvillohen pranë qytetit lindor Bahmut. Por pavarësisht këtyre luftimeve, vija e frontit ka mbetur e pandryshuar që nga tërheqja e fundit e madhe ruse në mes të Nëntorit. Rusia thotë se Bakhmut-i është kyç për qëllimin e saj për të “çliruar” pjesën tjetër të provincës Donetsk.
Pranë vijës së frontit dëgjohen vetëm shpërthime artilerie, ndërsa ushtria ruse duket se po lëviz forcat nga Bakhmut-i në Soledar.
“Po rezistojmë. Djemtë po përpiqen të mbajnë vijën e frontit. Rusët nuk janë në gjendje ta çajnë mbrojtjen, kështu që tani synojnë Soledarin”.
Shumica e civilëve janë evakuuar nga Bakhmut. Ata që kanë qëndruar mbijetojnë mes bombardimeve të vazhdueshme, pa ngrohje apo energji elektrike. Të paktën 60% e qytetit është tërësisht e shkatërruar.
/a.r