Gjashtë punëtorë ndërtimi janë shtypur për vdekje në një aksident tragjik pasi një vinç i ka rrëzuar aksidentalisht ngarkesën sipër tyre.
Dy persona të tjerë mbetën të plagosur pasi metali dhe mbeturinat ranë në çatinë e një konvikti të improvizuar në vendin e ndërtimit në Bornova, Izmir, Turqi.
Krahu i vinçit 300 metra i gjatë u këput ndërsa po ngrite materiale ndërtimi që ranë në kontejnerin ku po flinin punëtorët. Policët, zjarrfikësit dhe ndihmës mjekësore arritën direkt në vendngjarje. Mediat lokale raportuan se pronari i firmës së ndërtimit Emrullah Yolci, shefi i kantierit Muhammet Fatih Yolci, oficeri i sigurisë Fikret Kamil Aydin dhe pronari i firmës së vinçave Irfan Kasirga u arrestuan pas akuzave për neglizhencë, sipas The Mirror.
Ndërkaq emrat e personave që humbën jetën në aksident janë Yildirim Sari, Fesih Ciftci, Baykal Gunduz, Aslan Akkaya, Ali Sukru Duru dhe Umit Kara.
Vëllai i Yildirimit, Kenan, ishte gjithashtu brenda kontejnerit në atë kohë, por i mbijetoi përplasjes.
Punëtorët në kantier thanë se i kishin bërë lutje të shumta stafit operativ që konviktet e improvizuara të zhvendoseshin, duke përshkruar vendndodhjen e tyre poshtë vinçit si një kërcënim sigurie.
Punëtori i plagosur Mucahit Ciftci tha për mediat lokale: Ne i kemi thënë kompanisë një mijë herë se rrënojat po binin çdo ditë. Ata nuk ishin të interesuar, ata thjesht ndërtuan një çati mbi kokën tonë. Nuk është aksident pune, është vrasje.
Ministri turk i Drejtësisë Bekir Bozdağ konfirmoi se Prokuroria Publike e Izmirit kishte nisur tani një hetim për incidentin dhe u shprehu ngushëllimet e tij familjeve të atyre që humbën jetën në kantierin e ndërtimit.
/a.r