Kryeministri i vendit, Isa Mustafa ka shkruar në llogarinë e tij në “Facebook” pranë festimit të Pavarësisë së Kosovës, duke mos u kursyer edhe nga kritikat dhe zbulimi i disa të pathënave deri tash për bllokun VLAN. Ai ka thënë se AAK-ja, Nisma e në veçanti Vetëvendosja e kanë bindur se shteti nuk mund të drejtohet me mendësi të atillë, edhe përkundër dëshirës për ndryshime. Më tej ai sqaron edhe bashkimin me PDK-në, transmeton Koha.net.
“Edhe unë isha me AAK-në, Nismën dhe VV, nga qershori deri në nëntor të vitit 2014, por sjellja e tyre, sidomos e VV, më bindi se shteti nuk mund të drejtohet me mendësi të tillë, edhe përkundër dëshirës për ndryshime. Me PDK-në u morëm vesh që bashkërisht të qeverisim Kosovën, me zotim se do ta rikthejmë dhe forcojmë shtetin ligjor, të vazhdojmë të ndërtojmë ekonomi të tregut, të kultivojmë partneritetin ndërkombëtar, të trajtojmë mirë dhe të integrojmë popullatën jo shumicë”, ka shkruar Mustafa duke shtuar se fabrikantët e diskursit anarkist këtë e quajnë tradhti, ndër ta dhe ata që i agon dita duke pirë raki dhe kur iu trashet gjuha krahasohen me Ajnshtajnin. Ai thotë me tej se nuk e sheh arsyen logjike që krerët e AAK-së dhe Nismës, që janë luftëtarë dhe komandantë të UÇK-së, i janë bashkangjitur VV-së në veprimet e tyre si peng.