Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka reaguar në lidhje me zjarrin në një shkollë 9-vjeçare në Mallakastër. Me anë të një postimi në Facebook, Kushi kërkon nga autoritetet përkatëse një hetim të plotë të shkaqeve të zjarrit.
Po ashtu ministrja sqaron se janë duke u marrë të gjitha masat, me qëllim që shkolla të jetë gati për në datën 5 janar kur rinis edhe shkolla.
“Sipas informacioneve zyrtare paraprake, shkak i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike, por megjithatë kërkoj nga organet kompetente, jo vetëm Policia e Mallakastrës por edhe Bashkia, si institucioni përgjegjës për sigurinë e shkollës, që të bëjnë sa më parë një hetim të plotë të shkaqeve që çuan në këtë incident”, thuhet në reagimin e Kushit.
Reagimi i plotë
Po ndjekim nga afër me vëmendje zhvillimet në lidhje me ngjarjen e ndodhur në shkollën 9-vjeçare “5 Shkurti” në Mallakastër, ku si pasojë e zjarrit në njërën prej klasave janë shkaktuar dëme fizike dhe materiale.
Sipas informacioneve zyrtare paraprake, shkak i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike, por megjithatë kërkoj nga organet kompetente, jo vetëm Policia e Mallakastrës por edhe Bashkia, si institucioni përgjegjës për sigurinë e shkollës, që të bëjnë sa më parë një hetim të plotë të shkaqeve që çuan në këtë incident.
Falënderoj veçanërisht punonjësit e zjarrfikëses dhe personelin e shkollës, të cilët kanë ndërhyrë në kohë rekord, duke parandaluar përhapjen e zjarrit në klasat e tjera.
Dëshiroj të informoj opinionin publik se po marrim të gjitha masat, në bashkëpunim me Bashkinë dhe Zyrën Arsimore Mallakastër, që shkolla të jetë gati për të pritur nxënësit ditën e enjte, më datë 5 janar, kur rinis procesi mësimor në të gjitha shkollat e vendit.
/e.d