Bluzat e bardha në të gjithë vendin do të jenë në gatishmëri gjatë ndërrimit të viteve dhe ditët e para të janarit.
Ministrja e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, Ogerta Manastirliu zhvilloi një takim me ekipin e mjekëve dhe infermierëve në spitalin e traumës ku njoftoi se do të ketë 100 ekipe të urgjencës në terren përgjatë ditëve të festave.
“Janë marrë të gjitha masat qoftë nga spitali i traumës ku ne jemi sot, në të gjitha spitalet universitare rajonale, shërbimet e urgjencës janë të gjitha në gatishmëri të plotë.
Urgjenca kombëtare do të jetë duke u angazhuar në koordinimin e plotë të të gjitha thirrjeve të emergjencave por gjithashtu edhe në sheshe ku do të ketë festë apo koncerte, në mënyrë që të kemi një menaxhim sa më të mirë të situatës,” – u shpreh Manastirliu.
“Masat që kemi marrë për të qenë në gatishmëri jo vetëm përgjatë natës së ndërrimit të viteve por deri më datë 4 janar, me përforcimin e ekipeve mjekësore, në mënyrë që të përballojmë çdo emergjencë që mund të ketë. Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore do të ketë 100 ekipe në terren në qendrat e qyteteve ku do të ketë festa. Gatishmëria do të jetë edhe për Njësinë e Helikopterëve por edhe për të gjitha strukturat tona të spitaleve kudo në vend. Do të kemi organizim të përforcuar këtu në Spitalin e traumës për ditët e festave”, tha Manastirliu, duke falenderuar ekipet mjekësore që do të jenë në detyre në këto ditë festash./m.j