Mbreti Charls i Anglisë ka dekoruar me urdhrin e dytë më të lartë të Mbretërisë, përveç atyre kalorsiak, zonjën Remzije Zeka Sherifi, me origjinë nga Kosova.
Titulli me akronimin OBE, njihet në anglisht si “Officer of the Most Excellent Order of the British Empire”, është krijuar në vitin 1917, gjatë Luftës së Parë Botërore nga ish Mbreti Xhorxh i Pestë.
Ky titull është i pari që Monarkia britanike i jep shqiptarëve.
Remzije Zeka Sherifi është nga Gjilani dhe ka shkuar në Skoci në vitin 1999 kur u evakuua nga një kamp në Maqedoni. Deri në vitin 1992, kur u përjashtua nga puna, Remzija ka punuar si gazetare dhe producente në radio.
Duke folur për Top Channel, në Londër, se kujt ja dedikon këtë titull të lartë mbretëror, zonja Remzije Zeka Sherifi tha se ia dedikon nipave dhe mbresave, familjes dhe shqiptarëve kudo që janë.
Në 2013 ajo është vlerësuar me një tjetër çmim të madh si “Gruaja Emigrante e Vitit” në Britani, ndërkohë në 2017 ajo ka qenë në mesin e 10 “Grave të Shquara të Skocisë’. Ky titull vjen dhe merr një vlerë të shtuar në kohën kur ka një fushatë të madhe kundër emigrantëve dhe atyre shqiptarë në Britani.
Ndër njerëzit e njohur që kanë marrë këtë titull është edhe shkrimtarja britanike JK Rowling, autore e serialit të famshëm Harry Potter, apo futbollisti David Beckham./m.j