Pak orë përpara vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit në Shqipëri, Zëri i Amerikës, në një analizë, bazë e së cilës janë vendet e rajonit, argumenton rritjen e ndikimit rus në Ballkan.
“Vëzhguesit thonë se, propaganda, organizatat dhe shoqatat kulturore ruse kanë shtuar praninë në Serbi, Mal të Zi, Shqipëri dhe Maqedoni. Pjesa më e madhe e vendeve kanë aspirata integrimi perëndimor, por ndikimi rus në rajon po shtohet përmes investimeve të Rusisë në miniera, hotele, fabrika dhe në media”.
Analisti thotë se, edhe nëse Rusia nuk mund t’i integrojë këto vende ballkanike në organizata të kontrolluara nga Moska, si Bashkimi Ekonomik Euroaziatik, ajo do që ato të qëndrojnë neutrale dhe të mos lejojë zgjerimin e NATO-s dhe BE-së – thuhet më tej në analizën e Zërit të Amerikës.
Ish-zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit, Paul Goble thotë se, Moska po bën ç’të mundet për të ndryshuar opinionin në Ballkan: “Por, mendoj se përpjekjet e Moskës për të ndryshuar kahjen themelore të popujve të Ballkanit, deri tani kanë dështuar. Nuk jam aq i shqetësuar, sa ç’janë disa të tjerë”, shton Goble.
Anketat e opinionit publik tregojnë se, ndikimi rus po forcohet në Ballkan. Në Serbi, një anketë tregon se 72% e popullatës ka pikëpamje pozitive për Rusinë dhe institucionet e saj. Por, rritja e ndikimit rus në rajon pranohet publikisht dhe nga ambasadori i Federatës Ruse në Tiranë, por që – sipas tij, – ka vetëm qëllime të kërkimit të partnerëve ekonomikë.
Në një intervistë për Top Channel, dhënë pak muaj më parë, gjatë protestave anti-NATO të zhvilluara në Mal të Zi, ambasadori Karpushin dha këtë përgjigje për influencën ruse.
“Mund t’iu them se, patjetër interesat e Rusisë në rajonin e Ballkanit janë të konsiderueshme, por dua të nënvizoj, që këto janë interesa të kërkimit të partnerëve ekonomikë. Më pyesin shpesh, ‘a ka një qëllim të përforcimit të pranisë së saj, Rusia, këtu në Ballkan?’. Unë them po, patjetër. Ne duam të përforcojmë praninë tonë, por kjo është prani ekonomike, sepse ne kërkojmë lidhje dhe bashkëpunim në fusha të ndryshme të ekonomisë së pari, por jo praninë politike”, tha Karpushin.
TCH