Erisa Fero 28 vjeçe është e reja e cila është arrestuar nga policia në Korçë, pasi bashkë me dy të tjerë, Likë Bashën dhe një 17-vjeçar u kapën me 58 kg kanabis në makinë në Qafë-Thanë, të cilin po tentonin ta trafikonin në Maqedoninë e Veriut.
Ndërsa Likë Basha rezulton të jetë djali i një biznesmeni nga Fushë-Kruja. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se lënda narkotike e kapur në Qafë-Thanë, vinte nga zona e Shkodrës.
3 të rinjtë janë arrestuar nga policia e Korçës pasi u kapën në Qafë-Thanë duke tentuar që të trafikonin lëndë narkotike kanabis në Maqedoninë e Veriut, ndërsa dy të tjerë, vëllezër, janë shpallur në kërkim.
Në vijim të operacionit ‘Restart’, nisur më 7 nëntor 2021, u arrestuan në flagrancë Erisa Fero, 28 vjeçe, banuese në Tiranë, M.K , 17 vjeç, banues në Krujë; Likë Basha, 32 vjeç, banues në fshatin Mafsheq, Krujë. Si edhe u shpallën në kërkim shtetasit F. S., 30 vjeç dhe G. S., 28 vjeç, banues në fshatin Piskupat, Pogradec.
Në bazë të informacioneve që kishte policia se në drejtim të Maqedonisë, nëpërmjet zonës së fshatit Lin, Pogradec, do të trafikohej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike, ka kryer kontrolle në Qafë-Thanë. Policia ka ndaluar makinën tip “Volksëagen” pranë të cilit ndodhej shtetasi L. B.
Gjatë kontrollit në brendësi të makinës, në pjesën e bagazhit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 58 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Nga hetimet e kryera rezulton se Erisa Fero dhe shtetasit M. K. e Likë Basha, kishin kryer transportimin e lëndës narkotike nga qyteti i Tiranës në drejtim të Qafë Thanës.
Po nga veprimet e para hetimore rezulton se trafikimin e sasisë së drogës në drejtim të Maqedonisë, do ta kryenin dy shtetasit e shpallur në kërkim F. S. dhe G. S. Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
/s.f