Nuk mjafton të themi vetëm që jemi krenarë se jemi shqiptarë. Duhet të bëjmë diçka. Ky është mesazhi që përcjell Ermonela Jaho nga Teatri Liceu Barcelonë, në rrëfimin e saj për Shqip Me Rudina Xhungën.
Pjesë nga intervista:
Rudina Xhunga: Më beso që jeton 100%, jo vetëm për atë publik që e kupton atë që ti bën, por edhe për dikë që nuk e kupton, për mua që nuk jam e kësaj fushe fillova të qaja e nuk pushoja. Ti ja transmetove çdo kujt Anxhelikën tënde.
Ermonela Jaho: Jo vetëm kaq Rudina, por edhe një krenarie për kombin tonë. Ne zakonisht themi ‘krenar që jam shqiptar’, por duhet të bësh diçka. Edhe për të dhënë shembullin tonë. Shqiptarët nuk jane vetëm shqiptarët e gomonës, të drogës, askush nuk është perfekt. Shqiptare është Rudina gazetare, është Ermonela artiste, sic është Saimir Pirgu artist. Këtu kemi një violiniste shumë të mirë shqiptare me të cilën kam studiuar. Shqiptarët janë edhe këta.
Unë bëra një koncert këtu për 175 vjetorin e teatrit dhe isha e ftuar si e vetmja këngëtare, u ndjeva shumë e nderuar. Të ftuarit kryesor ishin mbreti dhe mbretëresha e Spanjës, të cilët i kam takuar 2-3 herë, dhe më mbanin mend. Më thanë ‘Ti je ajo shqiptarja’, i thashë që unë jam ai shembulli i mirë. ‘E dimë’-më thanë. Pra, janë ca gjëra që duhet edhe ne t’i themi me zë të lartë. Ne, kur kemi një shembull jo të mirë, shqiptarët me shqiptarët, sikur kemi dëshirë ta bëjmë sa më të madhe, për t’u dukur më mirë se tjetri.
Rudina Xhunga: Ta bëjmë rrethin e shqiptarëve të mirë dreqi e mori, sepse e kemi.
Ermonela Jaho: E keqja është ajo që bie në sy më shumë, por forca e të mirës bëhet si një ortek që nuk e kalon dot më.
Rudina Xhunga: Jo çdo komb prodhon Ermonelën./m.j