Papa Françesku kritikoi luftërat që po zhvillohen në mbarë botën gjatë meshës së tij tradicionale të Krishtlindjeve në Bazilikën e Shën Pjetrit, në shërbimin e parë të Krishtlindjeve.
“Njerëzit në botë që janë të uritur për pushtet dhe para, shkatërrojnë edhe fqinjët e tyre, vëllezërit dhe motrat e tyre. Sa shumë luftëra ka! Dhe në sa vende, dinjiteti dhe liria po shkelet ende sot!” tha ai, megjithëse nuk e përmendi konkretisht luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Bazilika ishte e mbushur për herë të parë që nga fillimi i pandemisë, me 7000 të ftuar ndërsa 3000 njerëz të tjerë qëndronin në Sheshin e Shën Pjetrit.
Papa Françesku i quajti të dobëtit dhe të varfërit viktimat kryesore të lakmisë njerëzore.
“Edhe këtë Krishtlindje, një njerëzim që kërkon në mënyrë të pangopur para, pushtet dhe kënaqësi, nuk u lë vend të vegjëlve, njerëzve të palindur, të varfërve, të harruarve, ashtu siç ishte me Jezusin. Unë mendoj veçanërisht për fëmijët që janë prekur nga lufta, varfëria dhe padrejtësia”, tha ai.
Papa kryesoi meshën, por e kremtoi atë kryesisht nga një pozicion ulur pranë altarit për shkak të gjendjes së gjurit.
Ai vuri në dukje se Jezusi lindi pa luks dhe rehati, por për shkak të kësaj, pasuria e vërtetë e jetës doli në dritë, domethënë “marrëdhëniet ndërpersonale”.
“Sigurisht, nuk është e lehtë të lëmë ngrohtësinë e rehatshme të botës për të hyrë në bukurinë e ashpër të shpellës së Betlehemit,” tha Papa Françesku.
“Por, ne duhet të kujtojmë se pa të varfërit nuk ka Krishtlindje të vërteta. Edhe pa ata, ne festojmë Krishtlindjet, por jo Krishtlindjet e Jezusit. Vëllezër, motra, në Krishtlindje Zoti është i varfër: bamirësia lulëzoftë përsëri!”, tha ai.
/a.r