Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti në një takim nënkryetarin e partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Izet Mexhiti, me të cilin bisedoi mbi zhvillimet më të fundit politike në Maqedoni dhe rëndësinë që ka zgjidhja dhe kapërcimi i krizës politike në vendin fqinj.
Zyra e shtypit e Kuvendit bëri të ditur përmes një njoftimi për shtyp se gjatë takimit, Meta theksoi se është me rëndësi që të respektohet marrëveshja e Perzhinos,e arritur mes forcave politike dhe me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, për t’i hapur rrugë tejkalimit të krizës politike dhe realizimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.
Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit theksoi edhe rëndësinë që ka për Maqedoninë monitorimi sa më i gjerë i këtyre zgjedhjeve nga organizatat e specializuara ndërkombëtare dhe vendase. Z. Meta nënvizoi domosdoshmërinë që forcat politike në Maqedoni të ofrojnë nja qasje sa më bashkëpunuese dhe konstruktive për tejkalimin e krizës politike dhe realizimin me sukses të zgjedhjeve, në mënyrë që ato të mos jetë të kontestueshme dhe forcat politike të pranojnë verdiktin e qytetarëve të Maqedonisë.
Kreu i Kuvendit kërkoi nga bashkëbiseduesi që forcat politike shqiptare në Maqedoni, si një faktor tepër i rëndësishëm, të bashkëpunojnë pa paragjykime dhe të jenë të unifikuara në qëndrimin ndaj realizimit të të drejtave të shqiptarëve dhe interesit të tyre kombëtar për mirëqenie dhe integrim. Gjatë takimit, Meta vuri në dukje rëndësinë që Shqipëria i kushton marrëdhënieve në të gjitha fushat me Maqedoninë dhe mbështetjen e vazhdueshme për integrimin e saj Euro-Atlantik. “Stabiliteti, prosperiteti dhe integrimi i Maqedonisë janë jetike për Shqipërinë dhe të ardhmen e përbashkët të gjithë rajonit tonë”, tha Kryetari i Kuvendit.
Z. Mexhiti falënderoi kreun e Kuvendit, Meta për vëmendjen e përhershme që ai i kushton situatës në Maqedoni dhe bashkëpunimit mes faktorëve politikë shqiptarë atje dhe theksoi se marrëdhëniet e tij pa paragjykime me të gjitha palët janë një kontribut dhe mesazh i veçantë.