Argjentina mundi me penallti Francën në finalen e Kupës së Botës pasi 120 minuta përfunduan 3-3. Për këtë përballje pati edhe shumë kritika në lidhje me arbitrimin e polakut Szymon Marciniak. Në Poloni e kanë pritur si “hero” arbitrin kryesor dhe ndihmësit e tij, teksa në një konferencë për shtyp gjyqtari ka sqaruar edhe pretendimet dhe kritikat nga ana e francezëve.
Në kampin francez akuzuan se arbitri akordoi një nga 11 metërshat në mënyrë shumë të lehtë kundër tyre, teksa në një rast nuk u konsultua me VAR për një tjetër në favor të “Gjelave”. Kritika tjetër për arbitrin ishte edhe akordimi i golit të Messit pa marrë konfirmimin nëse topi e kaloi apo jo vijën fatale.
Veç rasteve të diskutuara, te Franca nxorën pamjet e golit të tretë me disa nga anëtarët e stafit të “Albiceleste” që ishin futur në fushë nga pankina, gjë që nuk lejohet edhe mund të sillte anullimin e aksionit që solli golin e Argjentinës.
“Nëse pasi është shënuar një gol, gjyqtari e kupton përpara se të rifillojë loja se në atë moment ka pasur një person në fushën e lojës, do duhet ta anulojë. Kjo vlen nëse personi shtesë në fushë ka qenë lojtar stoli, zëvendësues, i zëvendësuar, i përjashtuar ose një ekip zyrtar i klubit që ka shënuar golin”, thotë neni 3.9 i rregullores.
Në lidhje me këtë pyetje, Marciniak shpjegoi me foto se në sekondat e fundit kur Kolu Muani humbi rastin më të pastër që do i jepte Francës Kupën e Botës, shtatë nga stafi i Francës në pankinë lanë vendet dhe u futën në fushë. Edhe në rastin e golit të tretë nga Mbappe “pankina” e Francës ishte në fushë.
“Francezët nuk e përmendën këtë foto, ku mund të shihni se si janë shtatë francezë në fushë. Para së gjithash, a duhet të ndikojë kjo situatë në lojë? Cili ishte ndikimi i personave që u ngritën dhe u hodhën në fushë? Po kërkoni një pikëmbështetje në çdo gjë dhe kjo nuk përbën seriozitet. Ka gazeta serioze dhe nga ato që kërkojnë publicitet. Më shkruanin miq, arbitra në Francë: gjykimi yt ishte i shkëlqyer”, tha Marciniak.