I ftuar në emisionin “Debat” nga Alba Alishani në “A2CNN”, Sekretari Organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, komentoi zhvillimet e seancës plenare të kësaj të enjteje, që u shoqëruan me debate të forta sa i përket kandidaturave për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese dhe emrin e Avokatit të Popullit.
Sipas Klosit, mazhoranca nuk e miratoi emrin e sjellë nga opozita për Avokatin e Popullit, pasi sipas tij, duhet të ishte një emër që të përfaqësonte denjësisht këtë pozicion dhe jo të ishte një avokat i opozitës.
“Gjithmonë i ka takuar opozitës që të sjellë kandidaturat për Avokatin e Popullit. Padyshim që votat e kërkojnë, por edhe një traditë parlamentare e kërkon që të kemi një Avokat të Popullit që të jetë përfaqësuesi i interesave të qytetarëve. Ne jemi shumë të fokusuar te Prokuroria, te Gjykata, por në botën e qytetëruar, Avokati i Popullit është një institucion shumë i rëndësishëm, pasi përfaqëson interesat e njerëzve. Ndaj edhe ne kemi thënë që të kemi një emër nga opozita për Avokat të Popullit, por jo një avokat të opozitës. Ne i kërkojmë opozitës që të sjellë kandidatura që të jenë kandidatura të popullit, por jo të opozitës.”
Blendi Klosi
Ndërkohë, duke folur për akuzat e Gazment Bardhit në Parlament në lidhje me emrin e Ardian Dvoranit për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, Klosi tha se Dvorani është një kandidaturë shumë e rëndësishme për këtë institucion, i cili i ka kaluar deri tani të gjitha procedurat parlamentare.
“Unë di të them për atë që ndodhi në Parlament, mund t’ju them këtu vetëm qëndrimin zyrtar dhe çfarë logjike ka ajo që ne bëmë me avokatin e Popullit. Por nuk di të them se çfarë do të ndodhë me votën e z. Dvorani që tashmë ka kaluar të gjitha procedurat. Është një kandidaturë shumë e rëndësishme për Gjykatën Kushtetuese.”
Blendi Klosi
/a.r