Vëllai i bosit më të fuqishëm të karteleve meksikane të drogës është arrestuar nga autoritetet lokale në shtetin Jalisco (Halisko), në Meksikën perëndimore. Antonio “Tony Montana” Oseguera u kap gjatë një operacioni policor në orët e parë të mëngjesit të së martës në një kompleks rezidencial në qytetin Tlajomulco de Zúñiga. Gjatë operacionit, u sekuestruan 6 pistoleta, municione, një pako me kokainë dhe dy makina.
Oseguera është vëllai i bosit të Kartelit Jalisco Nueva Generacion, Nemesio “El Mencho Oseguera, ï cili është një prej personave më të kërkuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas autoriteteve meksikane, Antonio dyshohet se merrej me financat dhe logjistikën e organizatës kriminale, që trafikon lëndë narkotike në të gjithë botën. Ai konsiderohet përgjegjës për drejtimin e flotës së makinave të blinduara të kartelit, që përdoren për të luftuar bandat rivale, si dhe për blerjen e armëve.
Departamenti Amerikan i Thesarit e ka futur në listën e zezë Antonion që prej tetorit të vitit 2016. Në vitin 1996 ai ka qenë në burg në SHBA pasi u arrestua për trafik heroine. Më pas ai u deportua për në Meksikë, ku rimori rolin e tij në hierarkinë e organizatës kriminale.
Shtetet e Bashkuara ofrojnë një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për këdo që ka informacione që do të çojnë në arrestimin apo dënimin e El Mencho-s, i cili deri tani ia ka dalë t’i shpëtojë arrestimit. Nën drejtimin e tij, Karteli Jalisco Nueva Generacion ka marrë vendin e parë mes organizatave të trafikut të lëndëve narkotike, sidomos fentanilit, drejt Shteteve të Bashkuara.
Gruaja e tij, Rosalinda González, gjithashtu është arrestuar për disa vepra penale që lidhen me aktivitetin e kartelit. Vajza e tij me dokumente amerikane, Jessica Oseguera, u lirua nga burgu më 14 mars pas 25 muajsh pas hekurave, e dënuar për pastrim parash. Ndërsa djali i tij, Rubén “El Menchito” Oseguera, ndodhet në duart e drejtësisë amerikane prej shkurtit të vitit 2020 dhe akuzohet për trafik lëndësh narkotike dhe armësh.
/a.r