31-vjeçarja greke e cila mbeti e plagosur gjatë atentatit mafioz të ndodhur mbrëmjen e së dielës në një lokal në zonën e Nea Smyrni në Athinë ku mbetën të vrarë dy shqiptarë, vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve.
Sipas asaj që shkruajnë mediat greke, Stavroula mori një plumb në fundshpinë. Mjekët ndërhynë duke ia hequr plumbin dhe duket se është thjeshtë çështje kohe që ajo të ringrihet në këmbë. Megjithatë kjo mbetet për t’u parë në ditët në vijim.
Trauma që ajo ka pësuar është e madhe. Por jo vetëm ajo. Duke folur për greken Star, nëna e 31-vjeçares mes ankthit dhe zemërimit u shpreh e revoltuar për mungesën e mbrojtjes së qytetarëve dhe kërkoi nga njerëzit që të ndezin një qiri për të bijën duke thënë se është ende shumë herët për të përcaktuar dëmin që mund t’i jetë shkaktuar nga plumbi.
“Ndiqni një qiri dhe lutuni për shërimin e saj më të shpejtë. Nuk kam çfarë tjetër t’ju them, gjërat nuk bëhen më mirë brenda natës. Kur nuk ka mbrojtje, asgjë, këto gjëra ndodhin. Pasojat i vuajnë të pafajshmit. Sigurisht që kjo na zemëron”, tha nëna e së resë.
Aktualisht autoritetet greke po kërkojnë për autorin e dyshuar të krimit të dyfishtë dhe plagosjes së 31-vjeçares e cila ishte kliente në lokalin ku ndodhi ngjarja dhe plumbi e kapi aksidentalisht. Autori ishte i maskuar me maskë Covid dhe kapuç. Megjithatë hetuesit duket se po përpiqen të gjejnë pamje në të cilat shpresojnë se mund t’i duket fytyra. Sipas asaj që shkruajnë mediat greke, autori dyshohet të jetë po shqiptar, i mirëtrajnuar.
Kamerat në zonë po analizohen gjithashtu për të dalluar targat e automjetit me të cilën vrasësi u largua nga vendi i ngjarjes dhe bashkëpunëtorin e tij, që i jepte automjetit.
/a.r