Një sportdashës vdiq tragjikisht në Argjentinë gjatë festimeve për Kupën e Botës 2022.
22-vjeçari Sebastian Oscar Maciel doli në rrugët e Bahia Blanca në rajonin e Buenos Aires të dielën për të festuar titullin me motoçikletën e tij. Megjithatë, flamuri rreth qafës së tij u kap në timonin e motoçikletës së tij dhe ai vdiq nga mbytja, sipas Daily Mail.
Dëshmitarët e incidentit tragjik raportuan se e kishin parë të rrëzuar përtokë dhe kuptuan se ai kishte flamurin në qafë.
Hetimet e autoriteteve vijojnë për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes së 22-vjeçarit. Festa më e madhe në vitet e fundit u organizua në Argjentinë teksa mirëpritën fituesin e Kupës së Botës.
Mijëra tifozë të Albiceleste u mblodhën në aeroportin e Ezeiza-s, pavarësisht se në Argjentinë ishte herët në mëngjes, për të parë mbërritjen e avionit me Lionel Messin dhe shokët e tij.
Më pas lojtarët argjentinas hipën në autobusin e hapur dhe menjëherë kanë nisur të kërcejnë e të festojnë teksa kanë pozuar para kamerave të fotografëve që i prisnin.
Pasi u largua nga aeroporti, autobusi me skuadrën e Messit u nis me shpejtësi të ulët drejt qendrës së Buenos Aires me mijëra tifozë që rreshtuan rrugën për të brohoritur në anën triumfuese.
/e.d