Dallëndyshe Bici, kryeinspektore e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit ka reaguar sërish lidhur me sulmet që prej disa ditësh i janë drejtuar nga mediat e Irfan Hysnebelliut, të cilit pak kohë më parë iu shemb një ndërtim pa leje që kishte bërë në bregdet.
Përmes një reagimi në “Facebook”, Bici shkruan se do të ndjek rrugën ligjore ndaj shantazhit, fyerjeve dhe kërcënimeve.
“Mediat në pronësi të z.Irfan Hysenbelliu vazhdojnë përpjekjet e shfrenuara dhe të dëshpëruara për intimidim dhe hakmarrje.
Sepse asgjë profesionale nuk ka, kur pas një “skupi” të tre viteve më parë, që mediat e z.Irfan e paraqesin si zbulim aktual, me një person të proçeduar penalisht, që nuk ka qenë as inspektor i IKMT ndonjëhere, minimumi nuk kërkohet të shprehet edhe pala tjetër, unë dmth.
Gjithsesi jam e gatshme të përballem në çdo institucion ligjor, për çdo akuzë. Unë njoh ligjin e shtetit, nuk i njoh “ligjet” e prapaskenave të medias dhe pronarëve të tyre. Dhe pikërisht për këtë, jam duke përgatitur kallëzim penal për shantazh, fyerje dhe kërcënim për shkak të detyrës.
Kjo gjuhë thikash kundër shërbyesve të vendit dhe shtetit pa asnjë provë dhe fakt, duhet të qëndrojë pas dhëmbëve. Unë bëj vetëm detyrën dhe do të vazhdoj ta bëj me përkushtim pavarësisht dhunës së fjalëve, e shantazhit pa asnjë provë e fakt”, shkruan Bici./m.j