Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, për festimin e 8 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ka thënë se Kosova sot nuk është bërë ende vendi që kemi ëndërruar, por këto ditë duhet të mbledhim energjitë tona pozitive, për ta kthyer Kosovën në rrugën e stabilitetit dhe prosperitetit.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Mustafa thekson se “këto ditë, Kosova shënon 8 vjetorin e pavarësisë së saj. Këtyre ditëve festive, që kulmon më 17 shkurt, Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ne u gëzohemi arritjeve dhe atdheut tonë. Duke qenë mirënjohës për kontributin e kosovareve e kosovarëve, heroizmin e dëshmorëve dhe martirëve dhe për të gjithë luftëtarët që i dolën zot kombit e atdheut tonë. Por, edhe duke qenë mirënjohës e falënderues ndaj aleatëve të aspiratës sonë për të jetuar të lirë e të pavarur. Jam i bindur se Kosova, sot nuk është bërë ende vendi që kemi ëndërruar ta kemi. Por, këto ditë ne duhet të mbledhim energjitë tona pozitive, për ta kthyer Kosovën në rrugën e stabilitetit dhe prosperitetit”.
“Askush, as vendimet arbritrare për t’ua kufizuar qytetarëve të drejtën për ta shijuar festën më domethënëse të historisë së Kosovës, nuk mund ta zbehë festën tonë të përbashkët, 17 shkurtin. Ju ftoj të demonstroni pjekurinë karakteristike kosovare dhe refuzimin estetik që na ka lënë trashëgimi Presidenti Historik, Doktor Ibrahim Rugova, ndaj tendencave eventuale për të përvetësuar festa e sheshe, për interesa të ngushta politike. E tërë Kosova është e qytetarëve të Kosovës dhe e miqve të tyre të shumtë. Me durim e pjekuri, do ta kalojmë çdo sfidë. Me refuzim estetik do ta ndalim çdo tendencë ndaj Kosovës, mike të përhershme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve tanë në Evropë dhe në tërë botën”, përfundon Mustafa.
KosovaPress