Komiteti që heton sulmin e 6 janarit në Kapitol ka rekomanduar disa akuza penale kundër ish-Presidentit Donald Trump.
Ato përfshijnë konspiracion për të mashtruar Shtetet e Bashkuara; pengimi i një procedimi zyrtar; komplot për të bërë një deklaratë të rreme dhe nxitje ose ndihmë në një kryengritje.
Rekomandimi në fjalë është kryesisht simbolik, pasi është Departamenti Amerikan i Drejtësisë ai që jep verdiktin përfundimtar nëse z. Trump do të ndiqet ose jo penalisht.
Një numër rekomandimesh janë bërë në raportin përfundimtar, i cili akuzon zotin Trump se është përfshirë në një “komplot shumëpjesësh” për të përmbysur zgjedhjet, që nxorrën fitues Presidentin aktual, Joe Biden.
Dyshimet se Trump fshehu dokumente me rëndësi gjatë bastisjes së FBI-së
Ish-Presidenti amerikan, Donald Trump, mund të ketë fshehur dokumente me sekrete shtetërore gjatë bastisjes së FBI në pronën e tij në qershor. Dyshimin e kanë bërë të ditur disa zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë.
Në një dosje gjyqësore, departamenti tha se “ka të ngjarë që u bënë përpjekje për të penguar hetimin federal”. Deklarata është në përgjigje të padisë së Trump kundër një avokati “neutral”, i njohur ndryshe dhe si “Mjeshtri Special”, për të mbikëqyrur një pjesë të çështjes në vazhdim. Trump ka mohuar çdo keqbërje dhe tha se materialet ishin deklasifikuar.
Në dosjen e publikuar së fundmi, Departamenti i Drejtësisë dha panoramën më të qartë deri më tani të përpjekjeve për të rimarrë dokumentet që përmbajnë sekrete shtetërore nga ish-presidenti.
Deri më tani, janë kryer 3 kontrolle në shtëpinë e Trump në Mar-a-Lago, ku i fundit u krye nga FBI më 8 gusht. Autoritetet amerikane po hetojnë nëse Trump, në kundërshtim me ligjet, mori të dhëna sekrete nga Shtëpia e Bardhë pasi la detyrën në janar të vitit 2021.
/a.r