Segmenti i nivelit të lartë i pjesës së dytë të mbledhjes së 15-të të Konferencës së Palëve (COP15) të Konventës për Diversitetin Biologjik përfundoi të shtunën në Montreal të Kanadasë.
Kjo mbledhje ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në nxitjen e procesit negociues të COP15, vuri në dukje Huang Runqiu, kryetari i COP15 dhe ministri kinez i Ekologjisë dhe Mjedisit.
“Kina do të vazhdojë të luajë rolin e vet gjatë kryesimit të COP15 për të ndihmuar në formimin e sinergjisë nga të gjitha palët, në sheshimin e dallimeve dhe krijimin e konsensusit për të arritur një kornizë ambicioze, realiste e të ekuilibruar që ka pritur bashkësia ndërkombëtare,” shtoi ai.
Në 13 dhjetor, Kombet e Bashkuara njohën “Nismën Shan-Shui” të Kinës për të restauruar 10 milionë hektarë ekosistemesh anembanë vendit si një ndër 10 projektet pioniere për të mbrojtur natyrën. Nisma u vlerësua si Flamurtare e Restaurimit Botëror. Kjo nismë ambicioze ndërthur 75 projekte në shkallë të gjerë, që përfshijnë nga malet deri në grykëderdhjet e lumenjve, anembanë vendit më të populluar të botës.
Që nga fillimi i periudhës së Planit të 13-të Pesëvjeçar (2016-2020), Kina ka zbatuar 44 projekte të “Nismës Shan-Shui” dhe ka kryer mbrojtjen ekologjike dhe restaurimin e më shumë se 3.5 milionë hektarëve.
Sipas librit të bardhë mbi ruajtjen e biodiversitetit, Kina ka shpallur 10 programe pilot për sistemin kombëtar të parqeve që nga viti 2015, që mbulon një zonë prej 2.2 milionë hektarësh. Një larmi llojesh të rrezikuara, të tilla si pandat gjigande dhe antilopat tibetane, janë mbrojtur mirë në këtë zonë. Përveç kësaj, Kina ka ngritur gati 10 000 rezervate natyrore, që zënë rreth 18 për qind të sipërfaqes së përgjithshme tokësore të saj.
Deri tani janë ngritur pothuajse 200 kopshte botanike dhe 250 baza shpëtimi e rritjeje të bimëve e kafshëve të egra, ku ruhen rreth 23 000 lloje bimësh dhe mbi 60 lloje kafshësh të rrezikuara.
Në të ardhmen, Kina do të vazhdojë përparimin ekologjik dhe do të planifikojë zhvillimin e saj në kontekstin e nxitjes së bashkëjetesës harmonike ndërmjet njeriut me natyrën.